Kandidatët e Prishtinës

Për çka do të mbahen në mend kandidatët për kryetar të Prishtinës?

Më 17 tetor, qytetarët e Prishtinës do ta zgjedhin kryetarin dhe qeverisjen e re që do ta udhëheqë kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Në garë për kryetar të Prishtinës janë shtatë kandidatë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Të ftuar në Debat Përnime përballë Jeta Xharrës, ata kanë treguar planet e tyre dhe se për çka do të mbahen në mend gjatë mandatit nëse do të arrijnë të marrin besimin e qytetarëve prishtinas.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, ka thënë se do të mbahet në mend për një Prishtinë që investohet e mirëmbahet në çdo cep.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia ka treguar po ashtu edhe projektet kapitale që do të ndikojnë direkt te mirëqenia e qytetarëve prishtinas.

“E para, shpresoj dhe besoj që do të mbahem në mend për punë time që është detyrim. Problemet e Prishtinës nuk janë probleme që zgjidhen vetëm nga një individ dhe një emër, por janë probleme që kërkojnë shumë punë e shumë vëmendje e përkushtim të ekipeve profesionale, besim të plotë në bashkëpunim me qytetarët dhe komunitetin. Si e tillë, besoj që këtë qeverisje, qytetarët kanë me mbajt në mend për një Prishtinë që investohet e mirëmbahet në çdo cep, për një vizion e qytet të decentralizuar, por unik. Për barazi në mes të lagjeve dhe fshatrave, për rregullimin e trafikut në qytet, rregullimin e problemit me qentë endacakë, për rregullimin e rrugës ‘A’ dhe kolektorit në lagjen ‘Kalabria’ e sidomos për parqet dhe verandat e qytetit sepse shpresoj dhe besoj që mandati im do të jetë mandat i hapësirave të gjelbra. Krejt në fund, për shkolla me një ndërrim dhe klasat me internet të shpejtë”, ka thënë Vitia.

Në anën tjetër kandidati, Avni Çakmaku nga Fjala ka thënë se do të punojë që të krijojë mirëqenie sociale për qytetarët e vendeve rurale, për shkak se sipas tij, dyndja e tyre në qytet po krijon kaos dhe po krijon nevojën që të ketë ndërtime të shumta.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Elementi i parë, i cili do të më bëjë të mbahem mend në këtë mandat qeverisës do të jetë që do ta eliminoj nevojën që vendet rurale të ngarendin në Prishtinë. Kjo do të jetë për shkak se ne do t’u krijojmë një mirëqenie sociale, një mundësi të zhvillimit ekonomik e kulturor që ata të mos kenë nevojë të vijnë në Prishtinë, e cila pastaj krijon gjithë atë kaos e nevojën që të ketë ndërtime. Dhe për tejkalimin e kaosit urbanistik, të cilin e kemi planifikuar përmes krijimit të një plani veprues i cili mbështetet në pesë pika”, ka thënë Çitaku.

Ndërkaq Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se do të mbahet në mend të respektimin e Ligjit për kryeqytetin.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Mendoj që zbatimi i Ligjit për Kryeqytetin. Ky do të jetë veprimi i parë i cili do të mbahet në mend. Kjo nënkupton spitalin e kryeqytetit, policinë e kryeqytetit, nënkupton decentralizimin e pushtetit të kryeqytetit dhe ofrimin e shërbimet administrative te qytetarët. Nënkupton ndërmarrje të kryeqytetit edhe për pastrim sepse ndërmarrja aktuale është për shtatë komuna dhe jo vetëm për kryeqytetin. Nënkupton për trafik, për legalizim, e pranim teknik dhe nënkupton edhe për unazën e madhe dhe kolektorin”, ka thënë ai.

E Florim Isufi nga Partia Balliste ka thënë se do të punojë për reformën e arsimit në Prishtinë e gjithashtu edhe për kthimin e gjallërisë në fshatrat e Gollakut.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Besoj se do të mbahem në mend për reformën në arsim, për ndarjen e shkollës së shkollës fillore nga shkolla e mesme e ulët, digjitalizimin e saj dhe heqjen e çantave të rënda për fëmijët, bartjen vetëm të fletoreve dhe tabletëve, pastaj do të mbahem në mend për ndryshimet në infrastrukturë ku do të kryhen edhe tri planet zhvillimore dhe urbanistike të kryeqytetit. E fundit është se do ta kthej gjallërinë e fshatrave të Gollakut e kufiri më nuk po mbetet në Mutivodë por po vjen në Grashticë dhe Llukar”, ka thënë Isufi.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re, Gëzim Mehmeti ka thënë se do të mbahet mend si një kryetar me figurë të pastër e si njeri i veprave.

Gjithashtu Mehmeti ka thënë se do të largojë pengesat burokratike ndërsa të gjithë do të kenë qasje 24-orëshe në komunë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Prishtina, kryetarin e ardhshëm do ta mbajë në mend për transparencë, bashkëqeverisje me qytetarët, mediat e organet kompetente duke dhënë qasje 24 orë pa pengesa burokratike. Do të më mbajnë në mend për kthimin e besimit në institucion si njeri i punës dhe i veprave. Si kryetar që përdor teknologjinë informative inteligjente artificiale që të realizoj sa më shpejt interesat dhe kërkesat e qytetarëve. Do të më mbajnë në mend për ndërtimin e unazës, rrugën “A”. Si kryetar me një figurë të pastër, shembull se si punohet dhe mbrohet interesi i qytetarëve dhe nuk keqpërdoret. Po ashtu, Prishtina do të më mbajë në mend për kthimin e pjesës  së vjetër të qytetit ashtu si ka qenë në vitet e 60-ta me ndërtimin e sheshit duke filluar nga “Ibrahim Rugova” deri në rrugën “Ibrahim Lutfiu”, “Ilaz Agushi” e tregu, pra Prishtina për turistë do të jetë shumë interesante”, ka deklaruar Mehmeti.

Vizioni i kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, është lidhja e lagjeve me qendrën e qytetit. Po ashtu, Rama ka thënë se do të mbahet në mend për një qytet me shpirt e të pastër.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Qytetarët e Prishtinës do të kenë një qytet me shpirt, qytet të pastër e praktik, pra një qytet të përjetimeve. Një Prishtinë e transformuar rrënjësisht. E intervenimet që do të mbahen mend do të jenë ‘Arbëria’ që do ta ketë platformën që do ta lidhë direkt me qendrën e qytetit, do të jetë qyteti i vjetër ku do të jetë shëtitorja kulturore e Prishtinës që do ta lidhë traditën me modernen e po ashtu do të lidhen me sheshin ‘Nëna Terezë’. ‘Kalabria’ e ‘Emshiri’ që do të lidhen me ‘Dardaninë’ dhe me qendrën e qytetit përmes platformës urbane ku prindërit me fëmijët e tyre edhe të moshuarit të ecin pa asnjë pengesë. Po ashtu ‘Kodra e Trimave’ do të ndërlidhet me qendrën e qytetit përmes platformës që përmban edhe muzeun e artit modern. Edhe Gollaku do të fuqizohet”, ka shtuar Rama.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të jetë kryetar që do t’i trajtojë të gjithë qytetarët si të barabartë dhe nuk do të krijojë ndasi politike.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ajo që qytetari i Prishtinës do të mbajë në mend është si një kryetar që ka realizuar në përpikëri atë për çka është votuar. Pra, të gjitha premtimet e të gjitha projektet që i kam paraqit e që janë mjaft pragmatike, edhe kërkesat e qytetarëve do të jenë të realizueshme. Për mua, Prishtina është e rëndësishme që të jetë e gjelbër, që të ketë rritje të kualitetit të jetës, të jetë digjitale e të konkurrojë me të ardhmen, të jetë destinacion për vizitorët që vijnë në Prishtinë të dalin me mbresa të mira edhe për qytetin. Nëpërmjet bashkëpunimit me të gjithë qytetarët do t’i zgjidhim problemet që i kanë në secilën lagje. Besoj që do të mbahem në mend si një kryetar që i ka bashku qytetarët rreth problemeve e nuk i ka ndarë asnjëherë në vija partiake”, ka thënë Ismaili.

Në Prishtinë, numri i votuesve për këto zgjedhje është 195 mijë e 978.