Për 20% më të larta në vitin 2021 borxhet e pambledhura të Hanit të Elezit

Raporti i auditorit, gjen se komuna nuk kishte arrit t’i mbledh borxhet të cilat kishin trend rritës. Në vitin 2021, shuma e borxheve të qytetarëve që i kanë komunës, ishte mbi 640 mijë euro.

“Komuna nuk ka arritë të menaxhojë si duhet llogaritë e arkëtueshme. Llogaritë e arkëtueshme kanë trend rritës përgjatë tre viteve, ku në fund të vitit 2021 të arkëtueshmet kishin arritur vlerën prej 643,147€, duke shënuar rritje për 20% apo 108,795€ në raport me të arkëtueshmet e vitit 2020 që ishin 534,352€. Pjesa më e madhe e Ll/A ka të bëjë me tatimin në pronë të cilat kanë arritur vlerën 377,241€ apo 59% e saldos totale të Ll/A. Komuna nuk ka ndërmarrë veprime konkrete ligjore për të detyruar tatimpaguesit që të kryejnë obligimet ndaj Komunës”, thuhet në gjetjen e raportit.

Raporti thotë se kjo kishte ndodhur si pasojë si pasojë e mungesës së kontrolleve adekuate në menaxhim dhe inkasim të të hyrave që rrjedhimisht ka ndikuar në rritjen e llogarive të arkëtueshme.

Mos mbledhja e borxheve, reflekton në shkallë më të ulët të buxhetit nga të hyrat vetanake, dhe njëkohësisht mund të ndikojë në programin vjetor të komunës, duke pamundësuar investime në projekte që financohen nga këto fonde.

“Kryetari duhet të sigurojë forcimin e mekanizmave të kontrollit në mbledhjen e borxheve nga obliguesit, duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë edhe veprimet ligjore”, rekomandon raporti.

Sipas auditorit, mbledhja e këtyre të hyrave parashihen me nenin 26 të ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, ku thuhet se Komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e dhjetë (10€) dhe neni 27 nëse një tatimpagues apo debitor nuk ka paguar plotësisht tatimin dhe gjobën në përputhje me afatet e përcaktuara, komuna nxjerr njoftimin përfundimtar me shkrim brenda dhjetë (10) ditëve pune pas ditës së fundit për pagesë, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara, jo më vonë se dhjetë (10) ditë kalendarike pas ditës që njoftimi përfundimtar konsiderohet të jetë pranuar nga debitori. Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 13 qershor 2022 nga kreu i komunës së Han i Elezit,  Mehmet Ballazhi konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Han i Elezit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.