Peci: Vullneti i bashkudhëtarëve të Listës Guxo, nuk mund të tjetërsohet nga askush

Deklarimi i Balton Dërgutit anëtar i Listës ‘Guxo’ dega në Ferizaj, se në zgjedhjet komunale, që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ky subjekt do të garojë i vetëm, është përcjellë me reagime të shumta, edhe nga ana e anëtarëve të kësaj liste.

Nga ata që kanë reaguar sot, është edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se “vullneti i bashkudhëtarëve të Listës Guxo, nuk mund të tjetërsohet nga askush”.

Peci ka ftuar të gjithë mbështetësit e Listës ‘Guxo’, që edhe një herë të bëhen zëri i ndryshimit, i cili sipas tij, është nisur më 14 shkurt “e që duhet ta përmbyllim më 17 tetor të këtij viti’.

Dërguti kishte deklaruar se u ishte premtuar se Lisa ‘Guxo’ do të krijonte strukturat e veta pas zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kundër një qasjeje të Dërgutit, ditë më parë ka dalë edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla – Schwarz. KALLXO.com, ka raportuar për kundërshtimin që ka bërë Gërvalla ndaj bashkëpartiakut të saj.

Gërvalla: Lista “Guxo” do të garojë në zgjedhjet lokale bashkë me Vetëvendosjen