PDK kërkon heqjen e barrikadave në veri, paraqet "shtyllat" për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryesia dhe grupi parlamentar i kësaj partie janë mbledhur sot për të diskutuar për gjendjen në pjesën veriore të vendit, vendosjen e barrikadave, nevojën e veprimeve të Qeverisë e të tjera.

PDK ka thënë se barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë.

“Në këtë pikë, nuk duhet të ketë zmbrapsje. Koha është për reagim shtetëror! Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë”- thuhet në njoftim.

Tutje kjo parti ka paraqitur edhe pesë pika që, sipas saj, duhet të jenë shtyllat kryesore për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë.

“Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”- janë pesë pikat e theksuara.

Sipas njoftimit, PDK ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që ta dënojë propagandën e presidentit dhe shtetit serb, por të marrë hapa konkretë që Serbinë ta shkëpusë nga këto tendenca dhe iluzione pushtuese.

“PDK vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re. Heshtja, injorimi dhe qëndrimi në vend nuk duhet të jetë zgjidhje për Qeverinë. Kompromiset e mëtutjeshme, jo e jo”- thuhet në njoftim.

PDK tutje ka theksuar se janë më Policinë e Kosovës, duke kërkuar që pa vonesa Qeveria duhet të sigurojë gjithçka që duhet, që policët të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës.