Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Pasuria e patundshme e familjes së presidentes Vjosa Osmani në Kosovë shtohet për 520 mijë euro, e shitën shtëpinë në Australi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar vlerën e pasurisë së deklaruar të zyrtarëve publikë për vitin 2022.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë pasuri të paluajtshme në vlerë 970 mijë 760 euro.

Sipas deklarimit në APK, ata kanë blerë një banim në varg, në vlerë prej 520 mijë eurove dhe është regjistruar në emër të bashkëshortit të presidentes.

Siç është cekur në APK, ky banim në varg është blerë nga shitja e një shtëpie në Australi që ka qenë në pronësi të bashkëshortit të presidentes, shitja e shtëpisë së prindërve, kursime dhe nga hua familjare.

Presidentja ka treguar edhe për një banim tjetër në varg, në lagjen lagjen luksoze, Marigona Hill, në vlerë prej 170 mijë euro.

Te pasuria e luajtshme, Osmani ka të deklaruar vetëm një veturë “Mercedes Benz” në vlerë 12 mijë euro, që është në emër të bashkëshortit.

Para te gatshme në bankë, presidentja ka të deklaruara 294 euro.

Ndërkaq, në deklarim të pasurisë Osmani ka thënë se ka pagë vjetore neto prej 33 mijë eurosh dhe mbi 7 mijë e 600 euro mëditje.