Pas raportimit të KALLXO.com, anulohet konkursi ku daja intervistoi mbesën për pozitën e stomatologes në Podujevë

Një komision i ankesave për nëpunësit e shërbimeve publike ka anuluar një konkurs për pozitën e stomatologes në Podujevë.

KALLXO.com raportoi ditë më parë mbi dyshimet se në këtë konkurs daja kishte intervistuar mbesën. Anulimi i konkursit erdhi pas një ankese.

“Shfuqizohet vendimi i komisionit përzgjedhës për pranimin në pozitën Doktor i Stomatologjisë. Obligohet zyra e Burimeve Njerëzore t’i njoftoj palët për anulimin e konkursit” – thuhet në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com.

Blerta Latifi ishte punësuar stomatologe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë përmes një rekrutimi të dyshimtë. Njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues ishte Gëzim Thaçi, i cili është edhe daja i Blerta Latifit.

Latifi kishte arritur të marrë 94.5 apo 21 pikë më shumë se kandidati i dytë më i poentuar që kishte 73.9 pikë. Në garë për këtë pozitë ishin 8 kandidatë.

Ligji për parandalimin e  konflikt të interesit parasheh që zyrtari duhet të deklarohet në rast se ka interesa private.

“Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”, thuhet në nenin 17 të këtij ligji.

Podujevë, dyshime për shkelje të rënda në punësim: Daja interviston mbesën