Podujevë, dyshime për shkelje të rënda në punësim: Daja interviston mbesën

Blerta Latifi është punësuar stomatologe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Podujevës përmes një procedure të dyshimtë të rekrutimit.

Latifi ka arritur të marrë 94.5 pikë nga komisioni vlerësues, pjesë e të cilit ishte familjari i saj, Gëzim Thaçi.

Përvec Thaçit, në komisioni vlerësues ishin edhe: Bajram Bajgora – kryetar,  Adelina Stublla- anëtare, Elfete Salihu – anëtare dhe Jehona Havolli – anëtare.

Latifi ka arrit të marrë 94.5 apo 21 pikë më shumë se kandidati i dytë më i poentuar që kishte 73.9 pikë. Në garë për këtë pozitë ishin 8 kandidatë.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se anëtari i komisionit vlerësues, Gëzim Thaçi dhe kandidatja e përzgjedhur Blerta Latifi janë dajë e mbesë, por një gjë të tillë nuk e kanë deklaruar asnjëri para procesit të testimit dhe intervistimit të kandidatëve.

KALLXO.com ka kontaktuar me kandidaten Blerta Latifi, por ajo nuk është përgjigjur në telefon. Asaj i janë dërguar pyetjet rreth lidhjes së saj familjare me anëtarin e komisionit, por ajo nuk është përgjigjur dhe e ka bllokuar numrin e telefonit prej nga i janë dërguar pyetjet.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me doktorin Gëzim Thaçi. Thaçi është pyetur nëse kandidatja e përzgjedhur, Blerta Latifi është mbesa e tij, si dhe nëse ai ishte pjesë e komisionit gjatë intervistimit të saj.

Ai nuk është përgjigjur në pyetje direkte, por ka sugjeruar të pyesim në komunë.

“Jo s’mundem me konfirmu. Në komunë atje ju tregojnë se kush është ajo e kush është ai”, ka thënë Thaçi dhe e ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com e ka kontaktuar serish, por ai ka refuzuar që të deklarohet rreth lidhjes familjare me kandidatën Blerta Latifi.

“Edhe një ditë më keni thirr. Mos më thirr më. Jo nuk e konfirmoj. Mos më thirr më a more vesh”, ka thënë Thaçi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komuna e Podujevës, me datë 26 gusht. Komuna fillimisht e ka konfirmuar për KALLXO.com se gjatë intervistimit të kandidates Blerta Latifi ka marrë pjesë Gëzim Thaçi, anëtari i komisionit vlerësues.

“Për pyetjen se a ka marrë pjesë Gëzim Thaçi gjatë intervistimit të kandidates në fjalë, ne e konfirmojmë se ai ka marrë pjesë gjatë intervistimit”- thuhet në përgjigjen e komunës së Podujevës.

Komuna e Podujevës qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje, me kryetar Shpejtim Bulliqin. I kontaktuar nga KALLXO.com, Bulliqi ka kërkuar që pyetjet për çdo temë të dërgohet tek Zyra për Informim e kësaj komune.

Fillimisht zyra për Informim e Komunës së Podujevës, në përgjigjet e dhëna me datë 26 gusht, nuk janë përgjigjur në pyetje e KALLXO.com nëse kandidatja e përzgjedhur kishte lidhje familjare me një nga anëtarët e komisionit vlerësues.

“Sa i përket informacionit që keni pranuar se njëri nga anëtarët e komisionit ka lidhje familjare me kandidaten e cila është pranuar për pozitën “Doktor i Stomatologjisë”, ne nuk kemi një informacion të tillë. Gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit anëtarët e komisionit pranues nuk janë deklaruar se kanë lidhje familjare me ndonjërin prej kandidatëve për këtë pozicion, ne nuk mund të konfirmojmë apo mohojmë nëse kanë lidhje familjare të apostrofuarit përderisa ata nuk janë deklaruar për një çështje të tillë”- thuhet më tej në përgjigje.

KALLXO.com ka kërkuar edhe disa herë sqarime nga Komuna për të parë nëse e kanë verifikuar informacionin e KALLXO.com se daja e ka intervistuar mbesën e tij në konkursin për stomatolog.

Fatri Zhitia, zyrtari për informim i Komunës së Podujevës, të premten më 2 shtator 2022, i ka thënë KALLXO.com se ata kanë arritur të konfirmojnë lidhjen familjare të anëtarit të Komisionit Vlerësues dhe stomatologes së punësuar.

“Përderisa anëtari i komisionit nuk është deklaru që ka lidhje të afërt familjare me kandidaten që është pranuar në këtë konkurs ne kemi vepruar në bazë të fjalëve të anëtarit të komisionit, por meqenëse është hulumtuar pak më shumë rasti është vërtetuar që këta, pra anëtari i komisionit dhe kandidatja e pranuar kanë lidhje familjare”, ka thënë Zhitia.

Ligji për parandalimin e  konflikt të interesit parasheh që zyrtari duhet të deklarohet në rast se ka interesa private.

“Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”, thuhet në nenin 17 të këtij ligji.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e komisionit Bajram Bajgorën, i cili ka thënë se janë komision ad-hoc dhe se para zhvillimit të intervistave nuk janë njoftuar as nga Thaçi dhe as nga kandidatja Latifi se kanë lidhje familjare.

“Ne nuk kemi qenë të njoftuar as prej Gëzimit dhe as prej Blertës dhe as që kemi hulumtuar në atë pjesë. Jemi komision ad-hoc dhe Gëzimi ka marrë pjesë gjatë të gjitha intervistave”, ka thënë Bajgora kur është pyetur nëse kishte informacione se kandidatja Blerta Latifi kishte lidhje familjare me anëtarin e komisionit vlerësues, Gëzim Thaçi.

KALLXO.com ka telefonuar Bajgorën disa orë më pas për të parë nëse kanë ndërmarrë diçka në lidhje me informacionin se Gëzim Thaçi ka intervistuar mbesën e tij, Blerta Latifin. I njëjti ka thënë se nuk është i obliguar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

“Jo, ky është banalitet se çfarë po kërkoni ju. Drejtohuni në administratë dhe merrni të dhënat. S’kam obligim me u përgjigj ndaj juve. Kam obligim ndaj organeve të drejtësisë dhe institucionit nëse më kërkohet, jo para gazetarëve. Mos më pengoni për këtë punë më, orientohuni në adresa të caktuara”, ka thënë Bajgora më pas.