Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas publikimit të raporteve të auditimit, bordi i RTK-së thotë se do t'i adresojë gjetjet

Ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi raportin e auditimit të pasqyrave financiare dhe atë të performancës për Radio Televizionin e Kosovës, ku ishin evidentuar parregullsitë ndër vite në këtë institucion.

Bordi i RTK-së ka thënë se kanë analizuar në detaje raportet me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilat do të adresohen.

Gjetjet e paraqitura në Raportin e Performancës për periudhën 2019-2021 dhe në Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2021 sipas bordit, vërtetojnë gjendjen shqetësuese të cilën bordi aktual e ka gjetur RTK-në në dhjetor të vitit të kaluar, kur edhe është konstituuar.

“Sikurse edhe në fazën e pranimit të raportit, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së janë pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së dhe zotohen se në afatin sa më të arsyeshëm kohor do t’i adresojnë rekomandimet e paraqitura një nga një”, thuhet në njoftimin e bordit aktual të RTK-së.

Shumë nga gjetjet e publikuara në raportet e ZKA-së sipas bordit, janë evidentuar në muajt paraprak nga ana e tyre dhe menaxhmentit aktual, dhe disa prej tyre tashmë janë adresuar.

“P.sh gjetja për kontratat për shërbime tashmë është çështje e zgjidhur, pasi që kontratat e tilla për vende pune të rregullta nuk janë vazhduar në RTK. Bashkëpunëtorët  e jashtëm, përveç se në kundërshtim me nevojat programore, janë angazhuar pa një proces transparent dhe konkurrues në mohim të tërësishëm të beneficioneve që i përcakton Ligji i Punës, ashtu siç konstaton edhe ZKA-ja në raportin e saj”, thotë tutje njoftimi.

Gjithashtu bordi ka bërë të ditur se po bëhet evidentimi i vijueshmërisë si dhe është shfuqizuar vendimi absurd, i cili lironte nga evidentimi 58 punonjësve me pozita kryesisht menaxheriale.

“Askush në RTK nuk do të marrë pagesë nëse nuk paraqitet në punë. Përtej kësaj, do të ketë vlerësim të përformancës për të gjithë punëtorët e RTK-së, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje.

Me rekomandim të bordit dhe pas një analize të detajuar të dokumentacionit të brendshëm, janë fuqizuar kontrollet e brendshme me qëllim që të eliminohen parregullsitë rreth avancimit, sistemimit, dhe respektimit të orarit të punës.

“Kjo ka rezultuar me shkëputjen e kontratave të punës me RTK-në për një numër të caktuar të punëtorëve, të cilët gjatë kontrolleve kanë refuzuar në mënyrë deklarative ose të heshtur respektimin e rregulloreve të RTK-së. Në anën tjetër, Rekrutimi i stafit të RTK-së do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregullativën e brendshme, duke i marrë parasysh nevojat e programit”, thuhet në njoftimin e bordit aktual të RTK-së.

Bordi ka thënë edhe se një nga vendimet e para që kishin marrë  ishte ndërprerja e marketingut me kompensim (këmbim jo monetar) ku siç konstaton ZKA, parimi i vlerës së drejtë nuk është zbatuar në RTK. Po ashtu është ndërprerë blerja e produkteve informative dhe kontraktimi i ri i blerjes se lajmeve nga agjencitë vendore të lajmeve.

“Duke marrë parasysh gjetjet e Bordit në muajt paraprak e të cilat vërtetohen tashmë edhe nga ZKA-ja, Bordi aktual më 19 janar të këtij viti e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati për shkak të keqmenaxhimit me RTK-në”, thuhet në njoftim.

Bordi ka thënë se do të vazhdojnë mbikëqyrjen e RTK-së, në mënyrë rigoroze dhe ka me prioritet hartimin e një plani të veprimit në RTK për implementimin e plotë të rekomandimeve të dy raporteve të ZKA-së brenda afateve të përcaktuara ligjore.

“Bordi tashmë ka themeluar komitetin e auditimit të brendshëm prej tre anëtarëve, ku dy nga ta janë të jashtëm, të cilët janë rekrutuar me konkurs publik. Kjo është hera e parë që është respektuar ligji dhe që dy anëtarët e komitetit janë të jashtëm. Në këtë mënyrë do të fuqizohet Njësia e Auditimit të Brendshëm, dhe do të sigurohet pavarësia e saj, gjë që kjo do të ndikojë në funksionimin sa më të mirë të RTK-së, si dhe do të merren masa të menjëhershme sapo të evidentohen parregullsi eventuale”, tregon tutje bordi.

KALLXO.com raportoi ditëve të kaluara në lidhje me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Radio Televizionin e Kosovës.

Nga vozitës në zyrtar të prokurimit, avancimi i punëtorëve në RTK

Auditori: Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur drejtor i RTK-së në mënyrë të paligjshme

Auditori: Në vitin 2021 u angazhuan 258 bashkëpunëtorë të jashtëm në RTK

126 punëtorë të RTK-së nuk kanë poseduar kartela për evidentimin e tyre në punë

Auditori: RTK pagoi shujta mbi 160 mijë euro për persona të cilët nuk kishin qenë fare në punë

58 menaxherë e udhëheqës në RTK, ishin liruar nga evidentimi për vijushmërinë në punë