126 punëtorë të RTK-së nuk kanë poseduar kartela për evidentimin e tyre në punë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mungesë evidencash për vijueshmërinë në punë të stafit në Radio Televizionin e Kosovës.

Auditori ka gjetur se nga gjithsej 763 punonjës të rregullt të RTK-së, 126 prej tyre nuk kanë poseduar kartelë elektronike për evidentimin e tyre në punë pasi për arsye të ndryshme kishin humbur kartelat e evidentimit dhe se RTK nuk kishte prodhuar kartela të tjera rezervë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Sipas raportit, ZKA për tetë punëtorë nuk kanë pranuar asnjë dëshmi se ata kanë punuar gjatë vitit të kaluar. Kostoja e pagave bruto për këta tetë punonjës është 64,630 euro, shumë të cilën RTK e ka paguar për vitin 2021.

Gjithsej 15 punonjës nuk janë evidentuar në punë nga 10 deri në 12 muaj të vitit. Prej tyre, në shtatë raste kanë pranuar konfirmime alternative nga mbikëqyrësit e tyre se ata kanë punuar gjatë gjithë vitit, kurse për tetë jo.

Përderisa tutje thuhet se me vendim i datës 15 gusht 2016, i marrë nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm ka liruar nga evidentimi ditor 58 persona, kryesisht udhëheqës të ndryshëm, menaxherë të njësive të ndryshme, kryeredaktorë dhe menaxhmentin e lartë.

“Ky vendim nuk kishte bazë juridike, ndërsa është mbështetur në një konkluzion të mbledhjes së menaxhmentit, të cilën RTK nuk ka mundur të na sigurojë. RTK, të vetmin instrument për evidentim në punë që e posedon është sistemi elektronik i vijueshmërisë, ndërsa për personat që i ka liruar nga evidentimi, nuk posedon një mekanizëm tjetër që dokumenton vijueshmërinë e tyre në punë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kjo gjendje, sipas Auditorit është krijuar si rezultat i vendimeve jo të duhura nga ana e menaxhmentit dhe mungesës së kontrolleve të brendshme gjatë vitit.

“Kontrollet e dobëta në evidentimin e të punësuarve për vajtje-ardhje në punë dhe nxjerrja e vendimeve pa ndonjë bazë të qartë juridike, mund të shkaktoj pagesa të parregullta dhe dëmtim buxheti, si dhe të dekurajojë pjesën tjetër të stafit e cila vijon punën në baza të rregullta”, citohet mes tjerash në raport.

Në fund të vitit 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte njoftuar se ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Radio Televizionit të Kosovës.

Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.

Në kuadër buxhetit për vitin 2022, Qeveria ka ndarë 8 milionë e 960 mijë euro buxhet total për RTK-në.