Pas paralajmërimit nga O'Brien, ministri Murati insiston se partnerët e mbështesin Rregulloren e BQK-së

Pavarësisht thirrjeve dhe kritikave publike që vijnë nga BE dhe SHBA pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, ministri i Financave, Hekuran Murati konsideron se të gjithë partnerët e jashtëm e mbështesin këtë rregullore.

“ I vetmi dallim është se si të ofrohet periudha tranzitore, për çka, siç edhe e keni parë, BQK është angazhuar për ta ofruar”- tha Murati në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 14.02.2024.

“Jemi në bashkëpunim dhe koordinim. BQK tashmë ka publikuar disa pika që e lehtësojnë tranzicionin”- shtoi Murati.

Por, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien ka vënë në pikëpyetje partneritetin e Kosovës me ShBA-në, pikërisht për shkak të kësaj rregulloreje.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Komuniteti ndërkombëtar dhe faktorët si ShBA, OSBE-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje për Kosovën që të ndalë veprimet e njëanshme që prekin komunitetin serb për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Nga 1 shkurti 2024 ka filluar zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke prekur kështu dinarin serb, valutë të cilën e përdorin për pagesa serbët lokalë.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë kjo datë do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Përmes një plani 10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Pos për Rregulloren e BQK-së, Murati gjatë mbledhjes së Qeverisë foli punët, që sipas tij, janë kryer prejse ka filluar mandatin Qeveria Kurti, pas zgjedhjeve që u mbajtën më 14.02.2021.

Ai theksoi që më 14.02.2024 miratuan 1 milion euro për subvencionim te energjisë se gjelbër.

“Si Qeveri, për tri vitet e fundit kemi bërë sa të gjitha qeveritë bashkë- sa i përket masave. Nëse fillojmë me projektin e fundit, pra me Super-punën të cilin e kemi zgjeruar dhe si rezultat i suksesit e kemi bërë edhe zgjerimin në moshë. Aktualisht të regjistruar janë 20 mijë punëkërkues dhe 10 mijë punëdhënës”- tha Murati në konferencë për media.

Ministri përmendi edhe masën tjetër të punësimit të grave në kuadër të ringjalljes ekonomike duke thënë se nga kjo masë janë punësuar 6 mijë gra.

Sipas tij, këto masa kanë ndikuar që të rritet punësimi në Kosovë.

Ai theksoi se nëse analizohen statistikat nga shkurti 2021 në dhjetor 2023, janë shtuar 9 mijë vende të reja të punës në sektorin e prodhimit.