Partitë e komuniteteve jo serbe dorëzojnë ankesat në PZAP

Partitë e komuniteteve jo serbe kanë dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorimin e votave.

Duda Balje, kryetare e Unionit Socialdemokrat (SDU) tha se janë duke kërkuar të anulohen votat serbe të cilat janë dhënë për boshnjakët.

Balje tha se presin që drejtësia të vihet në vend.

“Ne kemi dërgu ankesën në PZAP për gjëra që mendojmë se ne kemi të drejtë dhe mendojmë se është shkelje e Kushtetutës. Jam e sigurt se drejtësia do të marr rrugën e vet. Ne mendojmë se kemi të drejtë dhe jemi tu prit rezultat. Ne jemi tu lyp anulimin e votave serbe që kanë votu për boshnjakët”, tha Balje.

Veton Berisha Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, tha se sot janë duke e kryer obligimin e tyre ligjor. Ai tha se ka dorëzu ankesën për 5 parti të komuniteteve Rom, Ashkali, Egjiptian.

“Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Ashkalive për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës. Jemi duke e ushtru të drejtën tonë ligjore për shkak se mendojmë se gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit ka pas orkestrim të votave dhe jemi duke ankimu iniciativën rome e cila është një iniciativë që ne pretendojmë se ka marr vota nga vendbanime dhe votues të komunitetit serb dhe është fakt i mjaftueshëm me dëshmu sepse vota e komuniteteve është e lidhur me përfaqësues të cilët zgjedhën nga vetë ai komunitet”, tha ai.

Ankesë në PAZP ka bërë edhe Osman Dzudzevic  nga  NASA Iniciativa.

Ai tha se rezultati i zgjedhjeve e pamundëson përfaqësimin efektiv  të komuniteteve në parlament.

“Rezultati i zgjedhjeve e pamundëson përfaqësimin efektiv të komuniteteve në parlament. Ne po presim konstatimet e PZAP-së dhe do t’i referohemi instrumenteve tjera ligjore për të kontestuar edhe zgjedhjet, por edhe se Kushtetuta është shkelur”, tha ai.

Dzudzevic tha se po supozojnë se orkestrimi është bërë nga dy subjekteve politike dhe kanë bërë ankesë ndaj subjekt UZAH, dhe KV Koalicioni Vakat”, tha ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se në kuadër të mandatit të saj kanë ofru ndihmë juridike falas.

“Kemi shkelje të vullnetit qytetar të komuniteteve jo shumicë në Kosovë, kemi manipulim të orkestruar nga lista serbe me disa parti boshnjake e rome. Janë afër 10 mijë vota që kanë kalu nga komuniteti serb tek së paku dy parti të komunitetit jo shumicë e cila e cenon rendin kushtetues juridik në Kosovës”, tha ai.

Miftaraj tha se në bazë të ligjit është parshtru kërkesa dhe ne presim të merr vendim në mënyrë meritore.