barrikada rudar

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë, Foto: KALLXO.com

Paralajmërohet për protestë në Rudar të Leposaviqit, Vuçiq thotë se ‘me kënaqësi do të merrte pjesë’

I ashtuquajturi ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ ka paralajmëruar një protestë që pritet të mbahet nesër, më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar të Leposaviqit, tek Kryqi, raporton media Kossev.

Siç raporton Kossev, ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ ka thënë se protesta do të jetë më e madhja popullore që ka ndodhur ndonjëherë.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe popullore që ka ndodhur ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar te Kryqi” – citohet të jetë thënë nga shtabi në fjalë.

Tutje është thënë se shtabi ka deklaruar edhe se populli i tyre i përbërë nga mjekët, profesorët, mësuesit, minatorët, kushërinjtë, fqinjët, nënat dhe motrat e tyre të mblidhen që të dërgojnë një mesazh të qartë të përbashkët se ata nuk pajtohen me ‘persekutimin dhe vrasjen’.

“Veriu i Kosovës nuk është pajë as e Gjermanisë dhe as Kurtit, por është vendi ku jetojmë dhe ku ne duam të qëndrojmë dhe të mbijetojmë” – ka cituar Kossev deklaratën e shtabit.

Në anën tjetër, sipas Kossev për këtë protestë është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili thuhet të këtë thënë se “Me kënaqësi do të shkoja, askush nuk do ta lejonte”.

“Nuk jam i sigurt për në këtë moment, jo për shkak të fjalëve që do të thosha, por për shkak të vetë paraqitjes time, do të kontribuonte në një qetësim shtesë ose do të ndezte më tej pasionin e shqiptarëve që do të donin të tregonin se kanë pushtet në atë territor dhe më pas do të sulmonin serbët që jetojnë aty. Unë nuk jetoj atje” – raportohet të ketë thënë tutje Vuçiq.

Sot janë bërë 12 ditë që kur rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që të çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të bllokuara.

Vendosja e barrikadave ka filluar më 10 dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ai dyshohet se organizoi sulmet e 6 dhjetorit që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës. Ndaj të njëjtit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave.

“KFOR po kërkon pak kohë që shpejtë ta kryej këtë punë ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje le të quhet zbutje por për të mirën e përgjithshme jemi t`u e zgjedh rrugën më të mirë të mundshme” – ishte shprehur Kurti.

Se për sa kohë ka nevojë për largimin e barrikadave KFOR-i nuk e ka dhënë por në deklaratat e tyre është thënë se janë vigjilentë dhe duke e monitoruar situatën.

Se Kosova ka kapacitete për largimin e këtyre barrikadave e kanë përsëritur edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Barrikadat do të largohen në momentin që bëhet një vlerësim i drejtë dhe në momentin që vendoset që interesi i shtetit tonë, i qytetarëve tonë, i policisë tonë do të ketë më së paku pasoja gjatë veprimeve tona. Në momentin që e bëjmë një vlerësim të tillë atëherë do të kryhet edhe puna e ndërhyrjes” – ka thënë Hoxha në emisionin “Kallxo Pernime”.

Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat (pasojat)” – tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë” – ka deklaruar Kurti për “The Guardian”.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar se “Kurti thërret në vrasjen e nënave tona, motrave, punëtorëve, mjekëve, profesorëve, të cilët ditë e natë në mënyrë paqësore luftojnë kundër terrorit të tij”.

“Ky kërcënim fatkeqësisht kalon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtar, që është e patolerueshme” – shtoi Rakiq raporton Kosovo Online.

Më tej ai ka thënë se deklarata e Kurtit “sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada”.

“Narrativa anti-serbe e Prishtinës ka muaj që vazhdon dhe populli ynë e ka ndjerë në lëkurën e vet se sa shumë i intereson Prishtinës respektimi i të drejtave të popullit tonë dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij barrikadat nuk mund të hiqen në asnjë mënyrë tjetër” –  deklaroi Rakiq.

Dje gjatë ditës u dha edhe njoftimi që nëntë zyrtarë policorë që kanë qenë duke kryer detyrat e tyre në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, janë tërhequr nga aty për shkak të problemeve shëndetësore që kanë.

Siç është njoftuar, transporti i policëve është kryer nga KFOR-i, e po ashtu është njoftuar edhe se policët e tjerë që vazhdojnë të qëndrojnë në këtë vend kalim kufitar janë furnizuar me ushqime, veshmbathje e mjete higjienike nga EULEX.

Në anën tjetër, në Lagjen e Boshnjakëve dje prapë janë dëgjuar dy shpërthime që dyshohet të jenë shok-bomba, madje njëra prej këtyre mjeteve shpërthyese ishte gjuajtur edhe pranë një ekipi të policëve që ishin duke monitoruar situatën në këtë zonë e edhe pranë një ekipi të gazetarëve.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale. Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.

Më 6 dhjetor zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet. Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.

Derisa më 19 dhjetor, një ekip e një televizioni është fyer dhe është sulmuar me gurë nga persona të dyshuar në barrikadat e vendosura në Zubin Potok.

Dita e 12-të e barrikadave në veri