Paralajmërohen masa të ashpra ndaj bizneseve që rrisin çmimet

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar masa të ashpra ndëshkuese ndaj bizneseve që konstatohet se kanë ngritur çmimet si rezultat i situatës së krijuar lidhur me coronavirusin.

Bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari, kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, ka hartuar planin e jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar pas masave të ndërmarra për parandalimin e coronavirusit.

Në këtë mënyrë, inspektorët kanë dalë në monitorim të tregut dhe po punojnë edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve.

“Gjatë ditës së sotme kam komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtorët e inspektorateve komunale që së bashku të bëjmë renditjen dhe të zhvillojmë aksionin e zbatimit të urdhëresës së ministres. Inspektorati do t’i kontrollojë dhe monitoroj të gjitha bizneset të cilët shesin produkte ushqimore dhe higjienike, dhe në rast se konstatohet se ka ngritje të çmimeve do të ketë masa të ashpra ndëshkuese”, ka thënë Syla.

Po ashtu kryeinspektori njofton opinion që inspektorët nga sot do të kenë kontrolle të shtuara me orar të zgjatur për t’i mbajtur nën monitorim të gjithë operatorët ekonomikë.

“Kërkoj nga ana e bizneseve që të mos ngritin çmimet e produkteve dhe mos ta shfrytëzojnë virusin Korona për përfitime materiale”, tha Syla.