Punësimi - Foto: Rtv21

Pandemia ia pakëson Shqipërisë 48 mijë vende pune

Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 48 mijë vetë u larguan nga pagesa e sigurimeve shoqërore, por kjo nuk solli rënie të të ardhurave të shtetit, duke sugjeruar se të papunët e pandemisë i përkasin shtresave më të varfra të popullsisë.

 

Numri mesatar i kontribuuesve në skemën kombëtare të sigurimeve shoqërore gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ra me 48 mijë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rënie që dukshëm i dedikohet krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri. Gjithsesi, në mënyrë surprizuese, të ardhurat e sigurimeve shoqërore nuk pësuan rënie, e madje pësuan një rritje të lehtë, duke sugjeruar se personat e goditur nga papunësia për shkak të pandemisë janë në përgjithësi njerëz me të ardhura të ulëta, ndikimi i të cilëve në bilancin e fondit të sigurimeve shoqërore është me peshë të vogël.

ISSH publikon në mënyrë periodike të dhëna mbi të punësuarit kontribuues në skemë si dhe të ardhurat e shpenzimet e fondit. Në raportin e fundit [link], numri mesatar i kontribuuesve ra nga 721 mijë vetë vitin e kaluar, në 673 mijë këtë vit periudhë gjatë së cilës, të ardhurat e Sigurimeve Shoqërore u rritën nga 45.6 në 47.6 miliardë lekë.

Të punësuarit kontribuues në kompani private ranë me 22 mijë vetë ose me 5.3% ndërsa të vetëpunësuarit ranë me afro 2400 vetë.

Grupi tjetër me rënie të madhe janë të vetëpunësuarit në bujqësi, shqiptarët që kanë aktivitet bujqësor e blegtoral dhe që paguajnë sigurime shoqërore minimale për një pension minimal. Para pandemisë ishin afro 59 mijë shqiptarë të siguruar në këtë mënyrë por gjatë pjesës së parë të këtij viti, numri i kontribuuesve ra në 43 mijë. Kjo duket se shpjegon edhe arsyen se pse, ndërsa numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore ra duke reflektuar rritjen e të papunëve gjatë pandemisë, të ardhurat e fondit nuk u ulën.

Shqipëria mbylli pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik në mes të muajit mars me vendim të qeverisë me synimin për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Të dhënat mbi prodhimin e brendshëm bruto për tremujorin e dytë pritet të publikohen në fund të shtatorit ndërsa të dhëna indirekte mbi gjendjen e ekonomisë, të tilla si importi i mallrave apo të ardhurat në buxhetin e shtetit, flasin për rënie deri në 30% në muajin prill e maj dhe ringritje të shpejtë gjatë muajve në vijim.

Në korrik, rënia vjetore e importeve u reduktua në vetëm 5.6% ndërsa të ardhurat e buxhetit të shtetit pësuan një rënie minimale prej vetëm 2%.