Pamje nga mobilizimi i Ushtrisë së Kosovës drejt Shqipërisë

Ushtria e Kosovës është mobilizuar dhe nisur me një task forcë për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë, pas tërmetit që la së paku 7 persona të vdekur mëngjesin e sotëm.

Sipas një njoftimit të ushtrisë, pas marrjes së urdhrit nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, një kontingjent i Taskë Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, për kërkim-shpëtim urban, i pajisur me mjetet teknike të specializuara, u nisën sot në mëngjes për t’i ndihmuar autoritet shqiptare dhe banorët shqiptarë, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar pas goditjes së tërmetit në disa vendbanime të saj.

Sipas njoftimit, kontingjenti i FSK-së, përbëhet nga 3 ekipe të Kërkim–Shpëtimit Urban, një ekip K-9, (njësi e përgatitur e qeneve) për situata të tilla, Ekipi i komunikimit, Policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i Mjekësisë.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, citohet të ketë thënë se varësisht prej nevojave që do të paraqiten në terren, do të jenë të gatshëm  t’i përgjigjen me kapacitete shtesë.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë, ku si pasojë 7 persona kanë vdekur dhe 135 të tjerë janë lënduar.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar.