Palmeri vjen në Kosovë, takon ambasadorin amerikan Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar sot zëvendësndihmës Sekretarin e ShBA-së, Matthew Palmer.

Kështu ka njoftuar Ambasada Amerikane në Twitter.

Edhe pse ishte paralajmëruar që Palmer do të qëndrojë në Kosovë për vizitë dy ditë, sipas ambasadës vizita e tij do të jetë tri-ditëshe.

“Ambasadori Kosnett mirëpriti këtë mëngjes zëvendësndihmës Sekretarin Matthew Palmer për një vizitë tre-ditore në Kosovë për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme me të cilat përballet Kosova”, thuhet në publikimin e ambasadës në Twitter.

Përveç Palmer sot në Kosovë do të vijë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.