Foto: Twitter

Lajçak dhe Palmer vizitë dy-ditëshe në Kosovë

Emisari  i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer, sot dhe nesër dhe të qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

KALLXO.com mëson se dy zyrtarët pritet të vijnë në Kosovë të hënën pasdite.

Ata do të takojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, si presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e zyrtarit evropian dhe atij amerikan në Kosovë, do të bëhet rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të paralajmëruar muajin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para ardhjes në Kosovë, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Lajçak ka shkruar në rrjetin social Twitter, se sot e ka mirëpritur në Bruksel, Matthew Palmer.

“I lumtur të  mirëpres mikun tim të mirë, Matt Palmer sot në Bruksel. Nuk është për t’u habitur që ne folëm për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun”, ka shkruar ai në Twitter.