Foto: Letra e pacientëve të Onkologjisë drejtuar institucioneve publike shëndetësore

Pacientët e Onkologjisë kërkojnë përmirësim të kushteve, reagon Ministria e Shëndetësisë

Pacientët e Klinikës Onkologjike në dyert e kësaj klinike kanë vendosur një letër ku kanë kërkuar nga institucionet publike shëndetësore që brenda 15 ditëve të adresohen ankesat e tyre për kushtet në këtë klinikë.

Ata thonë se pacientët që i nënshtrohen kimioterapisë dhe stafi përballen me vështirësi për shkak te kushteve shumë të rënda. Ata kanë cekur mungesën e stafit, hapësirën e pamjaftueshme, mungesën e barnave, kushtet e vështira sanitare dhe higjienike.

Në letër thuhet se kjo letër u është adresuar në formë zyrtare edhe Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Drejtorit të QKUK-së dhe Drejtorit të Onkologjisë.

“Ju zotëri ministër, bordi drejtues dhe personeli tjetër kompetent, ta vizitoni repartin e onkologjisë dhe personalisht të bindeni me gjendjen dhe kërkesat tona të drejta dhe të arsyeshme” – shkruhet në letër me shkronja më të theksuara.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim ka thënë se nuk ka pranuar një letër të tillë në adresën e saj, por e ka parë pas publikimit të saj në media.

MSh thotë se është angazhuar vazhdimisht që bashkë me bordin dhe menaxhmentin e ShSKUK-së të sigurojnë dhe ngritin cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientët.

“Sa i përket Klinikës së Onkologjisë, ju njoftojmë se projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme veçse është proceduar nga ShSKUK-së së bashku me investimet në aparaturat e avancuara, ndërsa punimet tashmë kanë filluar” – thuhet tutje në reagimin e MSh-së.

Furnizimi me barna, sipas raportimit të Bordit, Ministria thotë se është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%, ndërkaq, investimet e këtij viti në këtë klinikë mbi 2 milionë euro.

MSh ka cekur edhe konkursin e hapur për 100 infermierë të cilët do të sistemohen sipas nevojave në klinikat e QKUK-së, duke përfshirë edhe Kliniken e Onkologjisë.

Në rast të mos përmbushjes së kërkesave, pacientët kanë thënë se do të ndërmarrin veprime radikale, deri në vetë-mbyllje në këtë repart.

Në fotografitë më poshtë, të realizuara më4 maj 2023 shihen korridoret Onkologjisë të mbushura me pacientë dhe familjarë të tyre.

Data: 4 maj 2023
Data: 4 maj 2023
Data: 4 maj 2023