Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

OVL e UÇK-së thotë se pranoi një "pako me 4 mijë dosje" të Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një konference për media, ka bërë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit, kanë pranuar një pako në zyrat e saj, që sipas tyre, është pako me 4,000 dosje nga Gjykata Speciale.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tha se pakon e kanë gjetur në ora 09:15 dhe se nuk e njohin personin që e ka sjellë.

“ Në ora 9:15 ka ardhur një paketë në organizatë qe nuk e dijmë kush e ka sjellur, në këtë paketë që ka ardhur tek në, që po i shihni këto materiale janë diku 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj tregoi se këto dosje janë të dhëna të dëshmitarëve të kësaj Gjykate.

“Çka është më keqja janë emrat e të gjithë dëshmitarëve që thonë se i kemi mbrojt, ku është logjika e mbrojtjes së dëshmitarëve, përderisa të dhënat e tyre tregojnë për çdo person kur është intervistuar, në cilin vend dhe datë është marrë në pyetje”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Gjykata Speciale ka bashkëpunëtor personat që kanë kryer krime në kohën e Millosheviqit.

“Cila është arsyeja që deputetët tanë dhe presidenti ynë bënë thirrje që të vazhdohet mandati i kësaj gjykate. Ne jemi për hetime, por këta kanë bashkëpunëtor personat që kanë kryer krime në kohën e Millosheviqit. Ne këto dosje do t’ia dorëzojmë Prokurorisë Speciale dhe deputetëve”, shtoi Haradinaj.