Osmani u bën thirrje shqiptarëve në Serbi t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësues të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci më të cilët ka diskutuar për procesin e regjistrimit të popullsisë.

Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë në Serbi, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji.

Sipas saj, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative.

“Presidentja nënvizoi se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve. Ajo ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive tona diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera”-thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.

Tutje, ajo ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.

Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi ka nisur më 1 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për herë të fundit, ata kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2002, i cili është zhvilluar nën monitorimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.

Ndarazi në komuna, Presheva ka pasur shumicë shqiptare 90%, Bujanoci 55% dhe Medvegja 26%.