Presidentja Vjosa Osmani në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor” më 23.02.2024. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Osmani thotë se në Kosovë do të ndërtohet Qendra rajonale për gratë, sigurinë dhe paqen

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë lajmin që Kosova është përzgjedhur një nga katër vendet nga e gjithë bota në të cilën është vendosur të ndërtohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Kabineti im me përkrahjen e zyrës së Sekretarit Blinken dhe Zyrës së tij për çështje globale të grave do ta themelojmë së bashku këtë qendër të ekselencës në Republikën e Kosovës, që hapja e kësaj qendre në Kosovë është bërë pjesë e strategjisë së ShBA-së për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe pjesë e planit kombëtar të ShBA-së”- deklaroi Osmani gjatë konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor” më 23.02.2024.

Përmes hapjes së kësaj qendre për të cilën nuk u dhanë më shumë informata, Osmani tha që presin të konsolidojnë partneritete të reja për gratë, sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe jo vetëm.

Në këtë konferencë të organizuar nga Gratë Deputete të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se pjesëmarrja e grave në proceset e paqes dhe sigurisë nuk është thjeshtë një çështje barazie dhe të qenurit të drejtë, por gurthemel për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

“Angazhimi ynë i përbashkët vjen krejt natyrshëm duke qenë se në bosht të historisë sonë, të popullit tonë, Kosovës tonë, në faza të ndryshme të saj si në kohën e rezistencës paqsore ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pas luftës në procesin e paqes dhe shtetndërtimit por edhe sot ta fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombvtëare ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtynë në formë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë dhe më gjerë”- shtoi Osmani.

Ndër të tjera, Osmani tha që kur gratë përfshihen në proceset e paqes gjërat bëhen më të lehta dhe marrëveshjet e paqes janë më të qëndrueshme.

Më 31.10.2000, Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi Rezolutën 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Që nga miratimi i saj, aktivistet e të drejtave të grave në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje për zbatimin e kësaj rezolute të rëndësishme.

Rezoluta vë theksin në rolin e rëndësishëm të grave në ndërtimin e paqes si dhe në “rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë dhe përfshirjen e plotë të tyrenë të gjitha nivelet e vendimmarrjes, duke përfshirë këtu edhe negociatat. 

Rezoluta po ashtu thërret për mbrojtjen e grave dhe vajzave në situatat e konfliktit dhe post-konfliktit, për trajtim të duhur për personelin e mbrojtjes si dhe për drejtësi për krimet kundër njerëzimit, përfshirë edhe dhunën seksuale.

Rezoluta thekson përgjegjësinë e të gjitha shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, si dhe krimeve të luftës, ndër to edhe krimet seksuale dhe krimet e tjera të kryera ndaj grave dhe vajzave.