Osmani takohet me presidenten e Parlamentit Europian, e quan 'ndër aleatet më të forta' të Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola.

“Padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës”- ishin fjalët e Osmanit për Metsolën.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” më 17.06.2024 ka thënë se mbështetja e Mestolës është e pakursyer për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.

Shefja e shtetit mori pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të ndryshme.

Ky Samit u mbajt më 15 dhe 16 qershor 2024, i cili mblodhi liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

Presidentja kosovare, të dielën e 16 qershorit mbajti fjalimin përmbyllës në këtë samit.

Osmani gjatë fjalimit të saj në këtë samit tha se “kjo luftë në Ukrainë nuk është veç lufta e Ukrainës, por betejë e përbashkët”.

Presidentja shtoi se bota duhet të qëndroj me Ukrainën ashtu siç ishte me Kosovën para 25 vjetëve.

Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.

Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.

Osmani: Bota të qëndroj me Ukrainën njësoj siç qëndroi me Kosovën 25 vjet më parë