Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani për votimet në veri: Kosova i dha mundësinë qytetarëve, nuk e shfrytëzuan nga presioni i Beogradit

Në katër komunat në veri të Kosovës ka përfunduar procesi i votimit për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë, megjithatë numri i votuesve vlerësohet të jetë shumë i ulët.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë që Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por siç tha ajo, ata në masë të madhe nuk e shfrytëzuan.

“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”- ka thënë Osmani.

Megjithatë, Osmani ka shtuar që Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, “duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë.”

“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”- tha Osmani.

Në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët  46 mijë e 556 kishin të drejtë vote, por numri i të interesuarve ishte i vogël.

Deri në orën 15:00, kanë votuar vetëm 203 persona. Në Zveçan nuk ka pasur asnjë votues.

KALLXO.com ka raportuar se në qendrat e votimit si ajo në fshatin Koshtovë të Leposaviqit nuk ka energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa edhe vetë kontejneri i improvizuar si qendër e votimit, pikon ujë për shkak të reshjeve të shiut.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Në Leposaviq të drejtë vote kishin 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.