Osmani pas takimit me Lajçak: Fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Pasi takimi u mbajtë i mbyllur për media, Presidenca ka lëshuar një komunikatë për media për ato se çfarë u diskutua.

Në takim sipas njoftimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, ku thuhet se Osmani ka ritheksuar se “Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”.

“Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Tutje, presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Aktualisht, i dërguari i posaqëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është duke mbajtur takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin. Më pas, do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.