Deklarata e Presidentes Osmani pas takimit me emisarin britanik

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në takimin e mbajtur sot me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.

Sipas komunikatës së dërguar nga presidenca, Osmani ka falënderuar emisarin britanik për ndihmën që shteti e ka dhënë për Kosovën.

“Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Në këtë takim presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.

“Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit”, thuhet tutje aty.

Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.

Sot në Kosovë është duka qëndruar i dërguari i posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Peach ka marrë këtë detyrë në fund të muajit dhjetorë, dhe kjo është vizita e parë e tij në Kosovë.

Përveç presidentes Osmani, emisari britanik ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

Emisari britanik Stuart Peach takon presidenten Osmani