Osmani: Krenare të shoh deputetët e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar paraqitjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Osmani ka shprehur se ndjehet krenare kur sheh deputetët e Kosovës në asamblenë e KE-së, teksa e ka mbështetur nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin për fjalimin e saj.

“Krenare që shoh deputetët e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nga një e mbijetuar e një masakre dhe gjenocidi brutal, në një kampione të pozitës ndërkombëtare të Kosovës si fener i demokracisë, është frymëzuese të shikosh Sara Bogujevcin drejtuar kolegëve deputetë nga e gjithë Evropa” – ka shkruar Osmani në Twitter.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, e cila po përballet me invazionin rus.

Në fjalimin para anëtarëve Asamblesë së Këshillit të Evropës, ajo ka thënë se Ukraina dhe ukrainasit janë përherë në mendjet dhe zemrat e kosovarëve, ndërkaq Kosova për herë të parë përveç pjesëmarrjes pati edhe të drejtën e fjalës.

Para të pranishmëve, Bogujevci ka deklaruar se i kupton mirë vuajtjet e ukrainasve, pasi edhe vetë është e mbijetuar e një masakre.

Ndryshe, në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që po mbahet këtë të martë, Kosova ka të drejtën e fjalës për herën e parë.