Osmani: Jemi të hapur për t'i mirëpritur afganët, askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.

“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Osmani.