Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada Amerikane: Në Kosovë nuk do të dërgohen afganët me lidhje të dyshimta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se në Kosovë nuk do të dërgohen afganët, të cilët konsiderohen për lidhje të dyshimta me talebanët.

Përmes një komunikate, Ambasada Amerikane ka thënë se disa media kanë informuar gabimisht.

“Disa raportime të mediave kanë lënë lexuesit me përshtypjen e pasaktë, se Shtetet e Bashkuara po synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk është e vërtetë”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, marrëveshja mes SHBA-ve dhe Kosovës, i lejon Shtetet e Bashkuara të dërgojnë në kampin ‘Bondsteel’ në Kosovë, një numër të kufizuar të qytetarëve afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë.

“Kjo mund të përfshijë detyra të tilla si sqarimi i identitetit të aplikantëve, historia e punësimit ose lidhje të tjera. Zyrtarët e Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë me këtë proces”.

Ambasada ka thënë se procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta emigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks dhe disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme, si dhe sigurimit të të gjithë informacionit të kërkuar.

SHBA-ja edhe njëherë është shprehur mirënjohëse ndaj Kosovës, për rolin e saj në zhvendosjen e dhjetëra mijërave qytetarëve afganë nga konflikti në Afganistan.