Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani: Është thjesht çështje kohe, Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Europës

Presidentja, Vjosa Osmani, është shprehur e bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Europës.

Kjo, sipas saj, është thjesht çështje kohe.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”- ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se Kosova i është mirënjohëse të gjitha vendeve që e kanë mbështetur deri më tani.

“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”- ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.

 

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE) mbajnë mbledhje më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e këtij takimi.

Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Kosovës nga disa shtete i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Më 16.05.2024, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka deklaruar se për këtë veprim nuk ka pas “konsultim dhe dakordim” me shefen e shtetit.

Sipas tij, presidentja Osmani përkrahë vetëm “qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara” me institucionin e Presidencës, e që në rastin konkret kjo letër nuk është e tillë.