Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti | Foto: ZKM

Osmani e paftuar, Kurti mungon fizikisht në Samitin në Tiranë

Asnjëri nga krerët shtetëror të Kosovës nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, që do të mbahet më 29.02.2024 në Tiranë. 

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në këtë Samit vetëm në formë virtuale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha për KALLXO.com që Kurti do të jetë pjesë e samitit vetëm në formë virtuale, përmes një adresimi.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë”- ka thënë Kryeziu.

Kurti nga data 23.02.2024 ka qëndruar për vizitë zyrtare në Mbretëri të Bashkuar. Sipas njoftimit të fundit të Zyrës për Kryeministrit, Kurti mbrëmjen e 28.02.2024 e ka kaluar në Belfast të Irlandës Veriore, ku ka mbajtur një diksutim me temën “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”, në Queens University.

Në Samit nuk do të marrë pjesë as presidentja Osmani, pasiqë sipas zëdhënësit të Presidencës, Bekim Kupina, Osmani ka qenë e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore të datës 28 shkurt në Tiranë.

“Nuk ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në takimin e kryeministrave më 29 shkurt për planin e rritjes. Aty janë të ftuara qeveritë”- ka njoftuar Kupina.

Në Samit është paralajmëruar që ofrohen mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. I pranishëm komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Fokusi i këti samiti është integrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Europian; Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal; Përshpejtimi i reformave themelore; Rritja e ndihmës financiare.

Në Tiranë, më 28.02.2024, janë zhvilluar punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.

Organizatorë të këtij Samiti ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në këtë takim liderët kanë diskutuar rreth mundësisë për t’i ofruar mbështetje Ukrainës dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe Europës.