Osmani e Kurti në pritjen e Ambasadës së Shqipërisë për 111-vjetorin e Pavarësisë

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi sot një festë me tupanë, veshje e valle shqiptare për të shënuar 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë organizim morën pjesë edhe kryeministri dhe presidentja e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Fjalimin e tij, Kurti e nisi me një urim për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin” – tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit citoi edhe një pjesë të një libri për të kujtuar pushtimin serb ndaj shqiptarëve.

“Social-demokrati austriak me origjinë hebreje, Leo Freundlich, na ka lënë një libër shumë të vlefshëm të përbërë nga reportazhet e gazetave evropiane të kohës, për krimet e kryera mbi shqiptarët ato javë. I botuar në fund të marsit të vitit 1913 dhe i titulluar “Golgota shqiptare”, te ky libër, ai shkruan, po citoj: “Serbët erdhën në Shqipëri jo si çlirimtarë por si vrasës të shqiptarëve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër u sugjerua që kufijtë e Shqipërisë të përcaktoheshin sipas statistikave kombëtare ose emërtimeve, të cilat një komision do t’i mblidhte aty për aty. Serbët nxituan t’i përgatisin këto statistika me mitraloza, pushkë dhe bajoneta”, mbaron citati” – u shpreh Kurti.

Kryeministri tha se teksa festojnë, kujtojnë edhe shumë vetëmohim, sakrificë, përpjekje, gjak, lot e djersë të derdhur.

Ai bëri thirrje që të dy vendet të punojnë e festojnë bashkë në çdo fushë e çdo vend.

Në këtë pritje morën pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministrja e Shqipërisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës e deputetë të Kuvendit.