Osmani: Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas rastit të rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”- ka shkruar presidentja Osmani.

Ajo ka theksuar se zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht dhe ka shtuar se Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë.

“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit”- ka thënë ndër të tjera Osmani.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia: Kidnapohen tre policë nga forcat serbe