Komisioni i Pavarur per Media/KPM

OSBE për Projektligjin për KPM-në: Komisioni për Media të jap kohën e nevojshme për shqyrtim të duhur

Misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës  për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.

“Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai të mos e minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”- është thënë nga OSBE.

Ky institucion në Kosovë ka rekomanduar “që Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural të Kuvendit të lërë kohë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me palët e interesuara të sektorit të medias, në mënyrë që rekomandimet e tij më pas të pasqyrohen në një draft të ri”.

Sot më 27.05.2024 Komisioni për Media do të vazhdoj shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për KPM-në.

Më 26.04.2024, Komisioni për Media ka nisur shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për KPM-në.

Ekspertja e Këshillit të Europës, Deidre Kevin në këtë mbledhje kishte kritikuar punën e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës në lidhje me punën në Projektligjit të shumë-diskutuar për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Nuk ju interesojnë standardet e KiE-së, kjo vërtet nuk po ka ndikim”- kishte thënë ajo mes tjerash.

Ekspertja kishte theksuar se komentet e saj nuk ishin marrë parasysh.

“Komentet e mia kanë të bëjnë me një varg çështjesh sa i përket përkufizimeve, mirëpo s’po hy në detaje. Po më duket që jam duke ‘goditur murin me kokë’ sa herë që po bëj komente. I dëgjuat propozimet e mia dhe ka nevojë me i kualifikuar ato sepse do të vjen dikush pas jush që do të shpërdorojë me këtë. Shumica e këtij ligji ka qenë shumë afër për t’u harmonizuar me direktivën, por janë disa dyshime të vogla që më është kërkuar t’i analizoj. Me rekomandimet e KiE dhe BE-së që po i fusin në direktivat e veta, jeni shumë afër ta keni atë si ligj të përkryer. Është kthim mbrapa të fshihet edhe neni për pronësinë e mediave nga politikanët dhe kjo ka qenë e habitshme, duhet të ketë një arsyetim mbrapa saj”- kishte thënë ajo më 26.04.2024.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.