Lojera Fati, Kazino, Ilustrim

Organizon bixhoz, përfundon në paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin S.M, nën dyshimet se ka organizuar bixhoz të paligjshëm.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Sipas njoftimit, dyshimi ka rrjedhur bazuar në disa prova të mbledhura, si vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, respektivisht të 6 aparateve elektronike për lojëra të fatit të sekuestruara nga policia e Kosovës, foto dokumentacioni ku shihen aparatet e lojërave të fatit të sekuestruara nga i pandehuri dhe lokali ku janë organizuar lojërat e fatit dhe prova tjera të siguruara deri në këtë fazë.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke vepruar në vazhdimësi në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, i pandehuri ka organizuar lojëra të fatit, duke i nxitur qytetarët e moshave të ndryshme që të luajnë në lojëra të tilla edhe përkundër ndalimit me ligj”, thuhet në njoftim.