Prizren, arrest shtëpiak për 4 të dyshuarit për bixhoz

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak kundër katër të dyshuarve, të cilët u arrestuan të martën në një lokal në fshatin Zhur duke zhvilluar lojëra të fatit.

Gjykata ka arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

“Nga provat materiale siç janë çipat që shërbejnë për lojërat e bixhozit, të hollat e gatshme, letrat në dorëshkrime, shifrat të parave me të cilat është luajtur bixhoz dhe shikimi në shkresat e lëndës me çka janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës” – thuhet në arsyetim të vendimit.

Gjykata ka konsideruar se po të lihen në liri të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët eventualë, bashkëkryesit e tjerë apo te familjarët e tyre andaj ekziston rreziku që deklarimet e tyre të ndryshohen – gjë që do ta pengonte hetimin dhe gjetjen e të vërtetës.

“Ekziston baza e ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak ku duke pasur parasysh peshën e veprës penale dhe rrethanat që janë kryer veprat, të pandehurit i kanë kryer veprat penale në dëm të shoqërisë” – përshkruhet në vendim.

Gjykata ka vlerësuar masat e tjera por gjeti se arresti shtëpiak në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Arresti shtëpiak u aprovua nga gjykatësi i procedurës paraprake Luan Berisha.

Prokuroria e Prizrenit të mërkurën ka kërkuar arrest shtëpiak për katër të pandehurit, të cilët po dyshohen për organizim të bixhozit të paligjshëm.

Gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Zhur të Prizrenit, Policia ka arrestuar të pandehurit nën dyshimet se kanë organizuar lojëra të fatit.

Kërkesa për masën e arrestit shtëpiak është bërë nga prokurori Musli Gashi.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 27 dhjetor 2022, F.B., E.N., Xh.K. dhe G.A. në fshatin Zhur, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete ose tjetrin kanë organizuar apo kanë marrë pjesë në organizmin e bixhozit, lojërave të llojit kazino apo lojërave të fatit për të cilat nuk i është dhënë licenca.

Me rastin e bastisjes në lokal janë gjetur rreth 2 mijë euro, çipa, letra të pokerit, telefona e pajisje të tjera që janë sekuestruar nga zyrtarët policorë.

Me këtë të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale – organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.