Foto: KALLXO.com

Bixhoz i paligjshëm në Prizren, Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për të dyshuarit

Prokuroria e Prizrenit të mërkurën ka kërkuar arrest shtëpiak për katër të pandehurit, të cilët po dyshohen për organizim të bixhozit të paligjshëm.

Gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Zhur të Prizrenit, Policia dje ka arrestuar të pandehurit  nën dyshimet se kanë organizuar lojëra të fatit.

Kërkesa për masën e arrestit shtëpiak është bërë nga ana e prokurorit Musli Gashi, ndërkaq në seancën e sotme është zëvendësuar nga prokurori Petrit Kryeziu.

Prokuroria ka konsideruar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, masa e arrestit shtëpiak është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës.

“Gjatë kontrollit dhe arrestimit të katër të pandehurve në vendin e ngjarjes janë gjetur 52 karta pokeri, janë hasur cipa që shërbejnë për lojëra të bixhozit, janë sekuestruar të holla të gatshme dhe janë gjetur dorëshkrime ku përveç katër të dyshuarve figurojnë edhe persona të tjerë”- ka theksuar prokurori Petrit Kryeziu.

Prokurori Kryeziu më tej ka arsyetuar se disa prej të dyshuarve po ashtu kanë arritur të ikin nga lokali ku është luajtur bixhoz, andaj me lënien në liri të njëjtët mund të ndikojnë tek të pandehurit dhe dëshmitarët e tjerë.

Në anën tjetër, arrestin shtëpiak e kanë kundërshtuar të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre.

Gent Gjini, mbrojtës i të pandehurit F.B. mes tjerash i propozoi Gjykatës që arrestin shtëpiak ta zëvendësojë me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Egzon Qovanaj, mbrojtës i të pandehurit E.N. i propozoi Gjykatës që klienti i tij të lihet në liri pasi i njëjti do t’i përgjigjet ftesave të gjykatës.

Arrestin shtëpiak e ka kundërshtuar edhe avokati, Berhil Shasivari pasi sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore. Avokati shtoi se klienti i tij Xh.K. është invalid dhe pensionit i cili jeton në Zvicër dhe  ka kontrolle dhe mjekime.

“Kërkoj nga Gjykata që të marrë parasysh faktet, po ashtu shtoj se i pandehuri është i gatshëm t’i përgjigjet çdo ftese eventuale. Propozoj që t’i caktohet ndonjë masë tjetër alternative që nuk do ta rrezikojë shëndetin e tij” – deklaroi avokati Shasivari.

Shasivari po ashtu Gjykatës i bashkëngjiti kopjet rreth provave materiale si bileta aeroplani, kartelën e invaliditetit dhe raportet mjekësore.

Kundërshtime rreth arrestit shtëpiak paraqiti edhe Durim Nevzati, mbrojtës i të pandehurit G.A.

Avokati Nevzati konsideroi se me kërkesën e parashtruar jo që mund të flitet për dyshimet e bazuara, por as nuk mund të përcaktohet indicja se klienti i tij ka mundur të ketë kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm.

Lidhur me masën e arrestit shtëpiak gjykatësi i procedurës paraprake, Luan Berisha, do të marrë vendim.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 27 dhjetor 2022, F.B., E.N., Xh.K. dhe G.A. në fshatin Zhur, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete ose tjerin kanë organizuar apo marrin pjesë në organizmin e bixhozit, lojërave të llojit kazino apo lojërave të fatit për të cilat nuk i është dhënë licenca.

Me këtë të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.