ORCA akuzon për plagjiaturë profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati - Foto
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një konference për media para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka akuzuar për plagjiaturë dy profesorët e këtij Universiteti, Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin.
Dibran Hoxha nga ORCA para mediave tha se, ky aksion ka filluar pas marrjes së një denoncimi anonim për plagjiaturë në punimin ‘Diplomacy Through the Ages of Histori: Theorotical Analysis of the Concept”, me autorë Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli i publikuar në vitin 2017.
“Me të marrë këtë informacion, stafi i ORCA’s, punimin në fjalë e futi në platformën ndërkombëtare anti-plagjiaturë Turnitin, e cila përdoret globalisht për të verifikuar origjinalitetin e punimeve të kësaj natyre. Pas testimit të punimit, rezultati doli të jetë shokues: shumica e tekstit të punimit është i ngjashëm me burime të tjera”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, autorët kanë marr tekst nga burime të ndryshme dhe i kanë përdorur si punim të tyre.
“Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marr ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike”, shtoi tutje Hoxha
Në raportin e ORCA-s thuhet se, Ardian Kastrati në vitin 2020 dhe Bujar Dugolli në vitin 2018, ishin avancuar duke e përdorur punimin në fjalë. Dhe vetëm falë këtij punimi, ata kanë arritur ta plotësojnë numrin e punimeve shkencore të nevojshme për avancim në pozitat e tyre aktuale, profesor asistent Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli në pozitën profesor i rregullt.
Sipas tyre, personat të cilët përfaqësojnë pozita më peshë të lartë publike siç janë ajo e Deputetit të Republikës së Kosovës në rastin e Ardian Kastratit, apo profesor i rregullt në UP në rastin e Bujar Dugollit, nuk duhet kurrsesi të kenë probleme të tilla me Integritet Akademik dhe as nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar për këtë gjë.
KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje nga Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati lidhur me gjetjet e ORCA-s, por nuk ka arritur të marr përgjigje deri në publikim të lajmit.
ORCA përmes këtij aksioni i ka ftuar organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedura Disiplinore.
Sipas tyre, nëse kjo nuk ndodhë, i bie që universiteti nuk ka vullnet të merret me rastet e kësaj natyre, kështu duke i bërë dëm të pariparueshëm besimit të shoqërisë kosovare, se ky institucion si të gjitha institucionet publike në Kosovë, nuk duan rregull dhe ndryshim pozitiv.