Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto:REL

Opozita në Serbi letër Borrellit: Vuçiq duhet të sanksionohet për sulmin në Banjskë dhe jo Serbia

Partitë opozitare në Serbi i kanë dërguar një letër përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme Josep Borrell në të cilën kanë shprehur shqetësim për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Për këtë sulm, opozita në Serbi ka vlerësuar se Bashkimi Evropian duhet të vendos masa ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe jo ndaj Serbisë.

Siç raporton Danas , në këtë letër ata kanë theksuar se përgjegjësit për situatën e tensionuar janë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë politike dhe të tjera për ngjarjet në Banjskë”- thuhet në letër.

Sipas tyre, vendosje e masave të mundshme ndaj Serbisë do të rriste edhe më shumë euroskepticizmin në këtë vend.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimet për mundësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë. Duam të theksojmë se ne, si opozitë demokratike në Serbi, jemi thellësisht kundër kësaj”- thuhet në letër.

“Çdo veprim armiqësor që prek Serbinë dhe popullsinë e saj vetëm sa do të rrezikonte më tej vendin tonë dhe rajonin, do të forconte euroskepticizmin ekzistues dhe narrativen e rrezikshme nacionaliste dhe do ta kthente Serbinë në imazhin e saj të viteve ’90. Nga ana tjetër, përgjegjësia politike dhe personale e Aleksandar Vuçiqit për situatën aktuale është e dukshme. Prandaj atij dhe aleatëve të tij më të afërt politikë duhet t’i jepet çdo masë e mundshme”- thuhet tutje aty.

Letra e dërguar Borrellit është nënshkruar nga: Zoran Lutovac – Partia Demokratike, Miroslav Aleksiq – Lëvizja Popullore e Serbisë, Pavle Grboviq – Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, Zdravko Ponosh – Qendra e Serbisë – Srce, Dragan Gjilas – Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, Nebojsha Zelenoviq – Së bashku Lazoviq – Fronti i Majtë i Gjelbër / Beogradin nuk po e mbytim.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ka ndodhur një sulm terrorist.

Autoritet në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian vënien e masave për Serbinë.

Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, tani më hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, u plagos një polic, dhe një tjetër u lëndua. Në këtë sulm kanë vdekur edhe 3 pjestar të grupit terrorist.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.