Kuvendi Komunal i Prishtinës, 28.04.2023

Opozita në Prishtinë kundërshton 'informimin' nga ndërmarrjet publike, kërkon raportim

Me propozim të partive opozitare, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hequr nga pika e rendit të ditës, katër pikat e fundit që kanë të bëjnë me informatat lidhur me punën e Komisionit të aksionarëve për katër ndërmarrjet publike lokale.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje i ka kundërshtuar këto pika nën arsyetimin se duhet pasur raportim nga ndërmarrjet publike dhe jo informatë.

Asamblisti i AAK-së, Bahri Gashi, tha se mosraportimi nga ndërmarrjet publike bjen në kundërshtim me ligjin. 

“Mos na qitni hi syve me informata, po kërkojmë raportim qysh janë të obliguara edhe me Ligj. Duhmi me ditë çka është duke ndodhë në to. E keni zyrtarin ligjor le t’ua interpreton. Këtu po shihet se ka një tendencë për fshehje. Në disa ndërmarje po hekin për rroga, në disa ndërmarje i ka mbulu luksin. Nëse nuk keni çka me fshehë, raportoni, të dimë ku i kanë çu paret. Nëse u hangër pitja, tepsija u mbetë. Tërhiqni këto pika, mos e shkelni ligjin” – tha Gashi.

Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk janë kundër informimit, por jo të zëvendësohet raportimi.

“Nuk është çështja se jemi kundër si pika, kjo është si shenjë reflektimi çasjes së juaj, jo me zevendesu raportimin, nuk jemi kundër infomatës. Dhe nuk na i shuajnë interesimin se çka po ndodhë aty se paguhen nga ky kuvend dhe taksapaguesit” – tha Sveçla.

Katër pikat e fundit të cilat u hoqën nga rendit i ditës më 23 vota pro, 11 kundër dhe 11 abstenime.

Pikat që u hoqën nga rendi i ditës janë:

Informatë lidhur me raportin tre mujor janar – mars 2023 të Ndërmarrjes publike “Hortikultura”, ShA.

Informatë lidhur me punën e komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes publike Banesore, Sh.A.

Informatë lidhur me punën e komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” Sh.A

Informatë lidhur me punën e komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”