Opozita ia miraton kërkesën e parë Qeverisë Kurti

Me 100 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar kërkesën e qeverisë së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin mars.

Rexhep Selimi shef i grupit parlamentar të LVV-së propozoi që të miratohen ndarjet buxhetore për muajin mars, pas vendimit të djeshëm të qeverisë Kurti.

“Kërkoj mocion procedural, për zgjatjen buxhetore për muajin mars të vitit 2020. Për shqyrtimin e këtij propozim vendimi kërkohet votimi për shmangie nga afatet procedurale, pra deklarimi me votim për shmangiet nga afatet procedurale”, tha ai.

Arben Gashi nga LDK shtoi se edhe partneri i koalicionit përkrah këtë mocion.

“Grupi parlamentar i LDK-së e përkrah propozimin e VV-së për vazhdimin buxhetor për një muaj”, tha ai

Bedri Hamza, shef i grupit parlamentar të PDK-së tha që edhe partia më e madhe opozitare e përkrah këtë mocion.

“Grupi parlamentar i PDK-së bazuar në rendësin e vendimit që po diskutojmë do ta mbështes dhe do të votoj për”, tha ai.

Edhe partia e ish-kryeministrit e përkrahi këtë vendim, Daut Haradinaj shef tha që kjo ka rëndësi prandaj duhet të miratohet.

“Dihet pesha dhe rëndësia, mirëpo do ta japim votën pro për vazhdimin për një muaj të projekt buxhetit”, tha ai.

Edhe Nisma-AKR, Lista Serbe dhe Albert Kinoll nga 6 Plus u deklaruan se kjo duhet të votohet.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rekomandimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars.

Besnik Bislimi, ministër i Financave tha para kabinetit qeveritar se ky vendim duhet të merret për të siguruar vazhdimin e kryerjes së obligimeve.

“Bazuar në ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, neni 24 paragrafi 2. Më lejoni të ju njoftoj se Ministria e Financave në pajtim me pajtim me ligjin ka bërë ndarjen buxhetore për dy muaj të vitit 2020 në mënyrë që të mbulohet periudha deri më datën 28 shkurt të vitit 2020, mirëpo vetëm Kuvendi mund të vendos për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për  një muaj, përkatësisht deri në fund të marsit”, tha Bislimi.

https://www.facebook.com/kallxo/videos/274911393474473/?notif_id=1581496499707023&notif_t=live_video_explicit