Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Qeveria i kërkon Kuvendit zgjatjen e ndarjeve buxhetore

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rekomandimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars.

Besnik Bislimi, ministër i Financave tha para kabinetit qeveritar se ky vendim duhet të merret për të siguruar vazhdimin e kryerjes së obligimeve.

“Bazuar në ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, neni 24 paragrafi 2. Më lejoni të ju njoftoj se Ministria e Financave në pajtim me pajtim me ligjin ka bërë ndarjen buxhetore për dy muaj të vitit 2020 në mënyrë që të mbulohet periudha deri më datën 28 shkurt të vitit 2020, mirëpo vetëm Kuvendi mund të vendos për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për  një muaj, përkatësisht deri në fund të marsit”, tha Bislimi.

Sipas Bislimit kjo ndarje do të shërbejë për disa kategori në Kosovë.

“Nga vlerësimet preliminare të ministrisë për shpenzimin e buxhetit konstatojmë se zgjatja e ndarjeve buxhetore prej 1/6 e vitit 2019 nuk është e mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve ligjore për kategorinë e subvencioneve, përkatësisht skemave sociale dhe pensioneve apo edhe pagave për disa organizata”, tha ai.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës tha që pas aprovimit nga qeveria ky vendim do t`i dërgohet Kuvendit.

“Pas aprovimit nga ana e Qeverisë, do të obligohej sekretari iu përgjithshëm i qeverisë që ta dërgoj në Kuvend dhe të ndërmarrë procedurat e nevojshme për procedim të mëtejmë nga Kuvendi”, tha Kurti.

Kosova ka hyrë në Janar të vitit 2020 pa buxhet për vitin buxhetor që nis me 1 janar. Madje, buxheti nuk është miratuar as nga qeveria e Kosovës e rrjedhimisht nuk është dërguar e diskutuar nga Kuvendi për shkak të vonesave në konstituim.