Objekti i Zjarrfikësve në Pejë që nga mesnata e 7 prillit pa energji elektrike

Objekti i Zjarrfikësve në qytetin e Pejës tash e 25 ditë nuk ka energji elektrike. Zjarrfikësit në Pejë janë duke punuar pa energji elektrike në këtë objekt.

Blerim Husaj, shef i ndërrimit, ka thënë për KALLXO.com se që nga mesnata e 7 prillit, kur është ndalur energjia elektrike, janë duke funksionuar me gjenerator.

Husaj ka rrëfyer për KALLXO.com vështirësitë nga mungesa e energjisë elektrike.

“Me një gjenerator jemi. Shkojmë në intervenim, lagemi, djersitemi, bëhemi ujë, kur vijmë nuk kemi çka me bo, nuk kemi nxemje as kurrgjë hiç”- tha Husaj.

Ai tha se kanë njoftuar të gjitha organet kompetente por kanë hasur në vesh të shurdhër në këto 25 ditë.

Husaj theksoi se objekti i Zjarrfikësve në Pejë është i lidhur në trafo kryesore bashkë me ish-fabrikën e baterive, e cila tash është pronë private.

“Problemi është që qysh me datën 7 të muajit të kaluar në ora 00:30 është ndalë rryma në objektin e Zjarrfikësve që është i kyçur në rrjet bashkë me ish-fabrikën e baterive që tash është pronë private. Është hera e tretë që ka shkëputje. Nuk e di se si, se trafo kryesore është brenda. Deri këtë vit, deri në vitin 2023 nuk kemi pasur probleme. I kena lajmëruar të gjitha organet kompetente. Unë e kam lajmëru komandantin e njësisë, ai e ka njoftuar KEDS-in, Komunën, Ministrinë… deri më sot kemi hasur në vesh të shurdhër, është i njoftuar kryetari, Komuna, të gjithë”- tha ai.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje KEDS-it dhe Komunës së Pejës dhe është në pritje të përgjigjes.

Ndërkaq agjentët për thirrje të KEDS-it kanë thënë se pa shifër të konsumatorit nuk mund të japin informata se cili është problemi.