Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Objekti i pamjaftueshëm, udhëheqësi i Spitalit të Ferizajt ‘çan hallin’ me bordin e ShSKUK-së

3 mijë e 500 metra katrorë nuk po i mjaftojnë stafit të Spitalit të Ferizajt që të kryejë punën e tij, sipas udhëheqësit të këtij institucioni.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij spitali, Selajdin Sallahu e shprehi këtë si shqetësim kryesor, sot gjatë raportimit të tij para Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik edhe Universitar i Kosovës, i cili vizitoi sot këtë spital.

Ky spital ishte i fundit që u vizitua nga Bordi i ri i ShSKUK-së, nga 7 spitalet rajonale që janë vizituar javëve të fundit..

Shumë prej sfidave, Sallahu tha se vijnë si pasojë e hapësirës së vogël.

Projekti mbi 10 milionësh, për ndërtimin e objektit të ri të spitalit, ndonëse ka 10 vite që ka filluar, ende nuk është përfunduar. Punimet aty nuk kanë rifilluar që nga viti 2021, përderisa bodrumi i tij është i mbushur me ujë.

Sallahu tregoi se është anëtar i grupit punues, të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë për vazhdimin e ndërtimit të këtij objekti. Ky grup, siç tha Sallahu takohet çdo javë, me qëllim evidentimin e problemeve të objektit të ri.

“Po shpresoj që shumë shpejt do të bëhet, fondet janë, vullneti i njerëzve është dhe besoj që qysh është duke shku puna, shumë shpejt do të kryhet” – tha Sallahu gjatë mbledhjes.

Pas zhvendosjes së spitalit në objektin e ri, drejtori tha se do ta kenë të vështirë për faktin që stafi i tanishëm, nuk do të mjaftojë për atë objekt, shumë herë më të madh se sa ai aktual, duke shtuar se profesionistëve shëndetësorë do u duhen trajnime për të mësuar përdorimin e aparaturave të reja.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kur vizitoi Ferizajn më 2 shkurt të këtij viti pati premtuar që punimet do të rifillojnë së shpejti.

Nga shifrat e raportuara prej udhëheqësit të spitalit, anëtarëve të bordit u bëri përshtypje për të mirë, numri i lindjeve me prerje cezariane, i cili ishte më i ulët se sa në spitalet e tjera.

Nga janari deri në shtator, nga 1,056 lindje, 188 ishin me prerje cezariane. Përkthyer në përqindje, kjo shifër është rreth 17.8%, ndërsa në spitalet e tjera, kjo shifër ka ndryshuar nga 30% deri në 47%.

Bordi pati shprehur shqetësimin e tij për numrin e madh të lindjeve me prerje cezariane në disa mbledhje e vizita nëpër spitale.

Sipas raportit të paraqitur nga Drejtori, Selajdin Sallahu, shfrytëzueshmëria e 110 shtretërve që ka ky spital, gjatë 9-mujorit të parë ka qenë 60.4%. mesatarja e kohëzgjatjes së qëndrimit të pacientëve në spital ka qenë 3.8 ditë.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi nuk u pajtua me ndarjen e shtretërve, e cila është, 39 shtretër për pacientë ambulantorë dhe 71 shtretër për pacientë të shtrirë. Sipas Bardiqit, shtretër ambulantorë ka më shumë se që duhet.

Spitali i Ferizajt numëron 300 punëtorë, një më pak se sa e kanë të lejuar që të punësojnë. Prej tyre, 83 janë mjekë.

Përveç sfidës së hapësirës së vogël, drejtori listoi si sfida edhe mungesën e mjekimit intensiv apo gjysmë-intensiv, numrin e vogël të neonatologëve, anesteziologëve, radiologëve dhe gjinekologëve.

Laboratori i këtij spitali, sipas Sallahut, ka dy e gjysmë që funksionon pa biokimist. Ai tha se e kanë hapur konkursin, por nuk ka aplikuar askush.

Nga janari deri në shtator, në Spitalin e Ferizajt janë hospitalizuar 3 mijë e 124 pacientë, janë kryer 1 mijë e 288 operime dhe janë kryer 63 mijë e 196 vizita jashtë-spitalore.

Gjithnjë sipas raportit të drejtorit, 9 mijë e 508 pacientë kanë bërë rentgene, ndërsa dhe 1 mijë e 879 sosh kanë bërë CT. Në hemodializë janë ofruar 8 mijë e 949 shërbime.

Pas përfundimit të vizitave, ky bord ka planifikuar që bashkë me Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi, i cili po ashtu merr pjesë në këto vizita, të analizojë të dhënat që kanë marrë nga të gjitha spitalet, me të cilat nuk kanë qenë të kënaqur dhe kjo analizë të pasojë me vendime.

Ky Bord i emëruar më 26 prill, përbëhet nga kryesuesi – Naim Bardiqi dhe anëtarët – Vjollca Kadolli, Besim Demolli, Enver Gashi, Dren Boshnjaku, Tetore Olloni dhe Rrezarta Bajrami.

KALLXO.com monitoron mbledhjet e Bordit të ShSKUK-së dhe ka raportuar nga vizitat e tyre në Spitalin e Pejës, të Gjakovës dhe atë të Vushtrrisë.