Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt - Foto: Facebook

Nënshkruhet Kontrata për Ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se ka nënshkruar sot kontratën për Spitalin e Ferizajt, e cila, sipas tij, i hap rrugën ndërtimit të këtij spitali kaq të nevojshëm për qytetarët në Ferizaj.

Sipas ministrit, Spitali do të përfundojë brenda tri vjetëve dhe do të jetë nga më modernët në vend.

“Ndërtimin e këtij Spitali e kanë merituar për kohë të gjatë qytetarët dhe personeli mjekësor i këtij qyteti”, ka shkruar ministri në profilin e tij në “Facebook”.

Ministri ka premtuar se nuk do të lejojnë asnjë zvarritje gjatë ndërtimit të Spitalit dhe se do të punojnë për ndërtimin e spitaleve të tjera.

Procesi i prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt ishte përcjell me zvarritje të procedurave e shumë shkelje ligjore.

Tenderi ishte hapur në qershor të vitit 2016, por ishte përmbyllur në gusht të vitit 2017 me përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë këtë Spital.

Përkundër që procedurat e prokurimit ishin përmbyllur në muajin gusht, Ministri i Shëndetësisë vetëm tash e ka nënshkruar kontratën 10 milionëshe.

Spitali në Ferizaj do të ndërtohet nga kompania “Arberia Com” për një shumë prej 10 milionë e 235 mijë euro.

Faza e ndërtimit është paraparë të zgjatë 3 vjet.