Shkolla fillore e mesme e ulët "Zenel Hajdini", Gadime, Lipjan, Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com

Nxënësja e shkollës në Gadime vendosi mbulesën, mungoi dy javë në shkollë

Një nxënëse e shkollës fillore të mesme të ulët “Zenel Hajdini” në fshatin Gadime të komunës së Lipjanit ka vendosur mbulesën dhe ka munguar për dy javë në shkollë.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i shkollës, Skender Ademi, i cili tha po ashtu se nxënësja me mbulesë ka vazhduar mësimin nga dita e hënë, më 13.05.2024. 


Ekipi i KALLXO.com ka vizituar familjen e nxënëses, por ata nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerës për vendimin e vajzës së tyre që është mbuluar.

Ndërsa, sa i përket periudhës që vajza nuk e ka vijuar mësimin, nga familja e vajzës thanë se nuk e kishte lënë drejtoria e shkollës ta vazhdojë mësimin me mbulesë.

Nga Drejtoria e Arsimit në Lipjan u shprehën se nuk janë në dijeni për sa kohë ka munguar saktësisht nxënësja në shkollë.

Në anën tjetër, sipas udhëzimit administrativ numër 06/2014 të Ministrisë së Arsimit, nxënësve u ndalohet bartja e uniformës fetare.

Drejtori i shkollës “Zenel Hajdini”, Skender Ademi, ka treguar se nuk e kishte parë të mbuluar vajzën, porse me të kishte biseduar zëvendësdrejtoresha e shkollës.

Sipas Ademit, ata nuk kanë marrë vendim që ta largojnë nxënësen nga shkolla për shkak të mbulesës.

“Unë me nxënësen, nuk e kam parë të mbuluar, nuk e kam parë absolutisht. Fillimisht, paraprakisht zëvendësja ka biseduar me të: “Pse me u mbulu? Je ende e re, është herët me marrë një vendim të tillë”. Në bazë të një udhëzimi që e kemi edhe është e ndaluar tek e fundit fëmija me qenë me mbulesë në shkollë. Pavarësisht atyre bisedave, kjo nuk e ka vazhduar mësimin, s’e ka vazhduar” – ka deklaruar Ademi për KALLXO.com.

Ademi më pas kishte biseduar me prindin e vajzës, të cilin ishte munduar ta bindte që vajza të angazhohet në mësim, kurse për mbulesën të vendoste pas një kohe, sipas tij, kur të rritet dhe është e vetëdijshme për një vendim të tillë.

Por, ai i kishte theksuar se nxënësja mund të vijë në shkollë edhe nëse nuk e heq mbulesën.

“Unë para tri ditësh kështu, kam biseduar me prindin e saj edhe i kam thënë: “Dëgjo, mundohu me bind me hjekë shaminë, sepse në bazë të udhëzimit e kemi të ndaluar, na qet problem edhe neve si shkollë, si institucion, edhe nxënësit munden me reagu. Po, nëse nuk mundet d.m.th. me heq atë mendim edhe atë vendim që e ka marrë, atëherë le t’vjen, s’prish punë, shkolla është për fëmijë, edhe me mbulesë”” – ka thënë Ademi.

Se e kishte njoftuar edhe Drejtorinë e Arsimit në Lipjan për këtë rast e ka pohuar Ademi. Sipas tij, udhëheqësi i kësaj Drejtorie u kishte thënë se nxënësja duhet ta vazhdojë mësimin. 

Si përfundim, Ademi thotë se ata kanë vendosur që vajza të vijojë mësimin edhe nëse është e mbuluar.

“Ne kemi vendosë ashtu, le të vjen e mbuluar, le të vazhdon, le të ndjekë mësimin. Është shumë ma mirë kjo vajzë me pasë vëmendjen edhe qëndrimin te mësimi, të lëndët atje” – ka theksuar Ademi.

Drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani, në një bisedë me KALLXO.com tha se nuk kanë parë ndonjë vendim, në të cilin shkruan se nxënësja është larguar nga shkolla për shkak të mbulesës.

Sipas Hasanit, ata nuk janë në dijeni se cila është arsyeja që nxënësja ka munguar në shkollë.

“Drejtori (i shkollës) nuk na ka thënë se e ka larguar, ka kërkuar me vazhdu fëmija ose nxënësja sikurse që ka vazhdu, ndjekë shkollimin edhe më herët, mirëpo insistimi i saj ka qenë që ta mbajë mbulesën dhe nuk e di saktë a ka pasë urdhër apo fëmija e ka ndi veten keq edhe nuk e di saktë, mirëpo vajza nuk ka shkuar për një periudhë të caktuar në shkollë dhe prej sot është në shkollë” – është shprehur Hasani.

Hasani konsideron se ky rast është zgjidhur si problem, pasi nxënësja është duke vazhduar mësimin, megjithëse ka përmendur se ky është një nga rastet në të cilat vendosen në pozita të palakmueshme, për shkak të mospërputhjeve të ligjeve për arsim dhe udhëzimit administrativ të MASHTI-t me numër 06/2014.

“Unë personalisht nuk muj me largu një fëmijë nga shkolla për shkak të ndonjë veshje të caktuar, edhe ligji ma ndalon, nëse të them që ka pasë urdhër m’u largu prej shkollës, nuk muj me thanë, mund të ndodhë që ka pasë kërkesë për me hjekë mbulesën, por jo urdhër për m’u largu, mund të ndodhë kështu” – ka shtuar Hasani.

Se a janë në dijeni për këtë rast nga Ministria e Arsimit, KALLXO.com i ka pyetur dhe është në pritje të përgjigjeve.

Në udhëzimin administrativ të MASHTI-t me numër 06/2014, në të cilin flitet për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, në nenin 3, ku flitet për ‘Veprimet e ndaluara’, në paragrafin 1.13 thuhet “Nxënësit i ndalohet: bartja e uniformës fetare”.

Për këtë udhëzim administrativ Ministria e Arsimit është kritikuar nga një pjesë e shoqërisë, e cila është kundër tij, kur bëhet fjalë për ndalimin e uniformës fetare.

Kurse, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “KallxoPernime” të datës 23.09.2023, për këtë udhëzim administrativ tha se shoqëria duhet të diskutojë dhe të definojë se çka janë uniformat fetare.

“Udhëzimi administrativ që ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime e përmend që është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet ta ketë një diskutim, e para “çka janë uniforma fetare? A jemi ne të gatshëm që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshur me uniforma fetare në shtetin tonë që i përcaktohet karakteri i vet me kushtetutë, ashtu siç i garantohet edhe e drejta e shkollimit. Ky është një diskutim shumë përmbajtjësor që nuk mund të bëhet me kushtëzime e me imponime dhe që duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve tanë”- kishte thënë ministrja Nagavci më 23.09.2023.

Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, në nenin 15, paragrafi e parë thuhet se “vijimi i shkollimit të detyruar nga ana e nxënësit është një përgjegjësi kryesore e prindit”.

Kurse, në paragrafin e dytë të këtij neni, është specifikuar se prindi i fëmijës i cili është i moshës së mësimit të obliguar, bën shkelje të ligjit nëse “pa shkak të arsyeshëm, si është sëmundja apo ndonjë shkak tjetër i pashmangshëm, nuk i siguron fëmijës vijim të rregullt në institucionin arsimor në kohën e përcaktuar nga këshilli drejtues për fillimin e mësimit”.

Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, sipas nenit 37, paragrafi i parë, ndalohet privimi i fëmijës nga e drejta për edukim dhe arsimim.

Kurse, në paragrafin katër të këtij neni thuhet se “Prindi ose kujdestari merr masa të përshtatshme që fëmija të ndjekë arsimin e detyrueshëm ose nivele të tjera të arsimimit, sipas dëshirës së fëmijës, si dhe të garantojë frekuentimin e rregullt të tij dhe pa pengesa”.

KALLXO.com edhe vitin e kaluar ka raportuar për raste të ngjashme në qytete të ndryshme të Kosovës.