Nxënësit e ‘Mehmet Akif’-it përfaqësojnë Kosovën në olimpiadën 'Genius' në Amerikë

Nxënësit e shkollave ‘Mehmet Akif’ në Prizren kanë fituar medalje në garën ndërkombëtare ASAF, e cila u mbajtë në Rumani. Ndërsa, tetë nxënës të shkollës ‘Mehmet Akif’ në Lipjan dhe një nxënës nga ‘Mehmet Akif’ në Gjakovë kanë fituar të drejtën të shkojnë në ShBA dhe të garojnë mes 1 mijë e 400 nxënësve nga mbarë bota, në olimpiadën Genius.

Drejtori i ‘Mehmet AKif’ në Lipjan, Ender Tergip ka thënë se ndjehet i kënaqur për suksesin e këtyre nxënësve dhe e konsideron si motiv për të punuar edhe më shumë.

“Nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” ashtu si në vitet e kaluara edhe këtë vit do të garojnë për Kosovën në olimpiadën “Genius” që do të mbahet në SHBA gjatë muajit qershor. Në olimpiadën “GENIUS”, janë kualifikuar 1400 nxënës nga 39 shtete nga mbarë bota. Kosovën do ta përfaqësojnë 8 nxënës të Kolegjit “Mehmet Akif” me 4 projekte”, ka thënë Tergip.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës ‘Mehmet Akif’ në Gjakovë, Fatih Aktas tregoi se kjo shkollë i kushton rëndësi të veçantë gjuhëve të huaja, projekteve dhe olimpiadave shkencore.

Tutje ai shtoi se misioni i tyre, është edukimi i brezave që respektojnë bazat e një shteti demokratik e ligjor.

“Të edukojmë një brez të emancipuar, të vetëdijësuar dhe të mbushur me dashuri për atdheun, që ta përfaqësoj me dinjitet kudo atë. Të kontribuojmë në zhvillimin e miqësisë dhe vlerave kulturore të përbashkëta të Kosovës me shtetet tjera. Të mundësojmë shfrytëzimin maksimal të shërbimeve cilësore të edukimit për t’i arritur nxënësit tanë synimet e tyre”, ka theksuar më tej Aktas.

GENIUS Olimpiada promovon një kuptim global të çështjeve mjedisore dhe arritjen e qëndrueshmërisë përmes shkencës bazë, artit, shkrimit kreativ, inxhinierisë, dizajnit dhe zhvillimit të biznesit, për nxënësit e shkollave të mesme.