Termocentralet e Kosovës | Foto: KALLXO.com

'Nuk ka vend për termocentrale me qymyr'

Përmes kampanjës ‘Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër’ bëhet thirrje që të ndalohet përdorimi qymyrit në termocentrale dhe të shtyhen përpara burimet solare.

Sipas Sbunker-it, kompanitë që drejtojnë termocentraletdhe shtetet në rajon nuk u përmbahen ligjeve dhe rregulloreve për emetimet e dëmshme të gazit, gjë që çon në mosmarrëveshje, siç janë rastet e shkeljeve në kuadrin e Komunitetit të Energjisë.

“Nga një total prej 3,906 vdekjesh të parakohshme në vitin 2016 që i atribuohen efekteve të termocentraleve të rajonit, 2,013 ndodhën në Bashkimin Evropian, 1,239 në rajon dhe pjesa tjetër ndodhi në vendet e tjera”, shkruan Sbunker.

Pjesëmarrësit e kampanjës Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër përkrahin një mbyllje të shpejtë të termocentraleve me qymyr, si dhe një ulje urgjente të ndotjes së ajrit të shkaktuar nga industria e rëndë në nivelet e parashikuara. 

Ata gjithashtu kërkojnë që qytetarët të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes kur bëhet fjalë për lejet mjedisore (dhe të tjera) për objektet e prodhimit.

‘Pa përfshirjen në asnjë mënyrë të publikut në shpërndarjen e parave të taksapaguesve, shtetet në rajon kanë paguar gjithsej 72.7 milion € në subvencione të drejtpërdrejta në 2019 për kompanitë që prodhojnë energji elektrike nga qymyri dhe ofruan garanci kredie me vlerë 2.15 miliardë euro”, shkruan në njoftim.

Sipas Sbunker, në vend të ndërtimit ose rindërtimit të termocentraleve, fondet nga buxheti mund të alokohen për programet sociale dhe rikualifikimin e punëtorëve, si dhe instalimin e impianteve diellore në minierat e qymyrit që do të kompensojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike që po mbyllen. 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.