Nuk i deklaron te Policia Kufitare, i sekuestrohen 50 mijë euro

Një qytetari shqiptar i janë sekuestruar 50 mijë euro, të cilat nuk i kishte deklaruar te Policia Kufitare shqiptare në pikën kufitare me Greqinë, në Kakavijë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë mjetin tip “Toyota” që drejtohej nga shtetasi I. Sh., 41 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e shtetasit I. Sh., 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.

Sipas Policisë, shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasi I. Sh. u procedua penalisht për veprat penale – mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi dhe – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.