Rdha kilometrike e makinave në Kakavijë të shtunën më 15 gusht 2020. Foto: LSA

Qeveria shqiptare akuzohet për keqmenaxhim në krizën e Kakavijës

Qeveria u akuzua për bratisje të qytetarëve të saj në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës të dielën, ndërkohë që kryeministri Edi Rama e relativizoi krizën me situata të ngjashme në vende të tjera dhe deklaroi se qeveria kishte bërë gjithçka duhej për menaxhimin e saj.

Replikat mes palëve politike u shkëmbyen nga faqet në Facebook të zyrtarëve të lartë, në një kohë kur mijëra qytetarë vazhdonin të qëndronin në radhë për të katërtën ditë radhazi në temperatura të larta në doganën e Kakavijës.

Presidenti Ilir Meta e konsideroi situatën “prag krize humanitare” dhe kritikoi qeverinë për trajtimin e qytetarëve të vet si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet.

“Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informim me transparencë, realizimin falas në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-9,” shkroi Meta.

Presidenti Meta shtoi se imazhet turpërojnë të dyja vendet, ndërsa apeloi edhe palën greke që të bëjë të pamundurën për zgjidhjen e situatës.

Edhe Partia Demokratike akuzoi qeverinë se kishte dështuar të komunikonte me qytetarët e vet, përmes një deklarate të ish-deputetes Albana Vokshi.

“Është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk i ndërprenë pushimet, por vazhdojnë të relaksohen në vilat luksoze dhe restortet e bregut sipas një axhende që nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve,” tha Vokshi.

Përmes një statusi të gjatë në Facebook, kryeministri Edi Rama replikoi me qytetarë të zemëruar, duke u kujtuar atyre se situata në Kakavijë është e ngjashme me pika të tjera doganore në Europë për shkak të krizës së COVID-19, ndërsa shtoi se qeveria e tij kishte bërë gjithçka për të lehtësuar lëvizjen me Greqinë.

“Ne duhet të bëjmë thjesht dhe vetëm atë që kemi bërë e po bëjmë. Asistencë përmes Forcave të Ushtrisë, Urgjencës Kombëtare, strukturave vendore, me gjithçka mundemi për njerëzit që po sfiliten në atë karvan rraskapitës dhe komunikim në vijimësi me palën greke në të gjitha nivelet – tanimë ata janë angazhuar me tre turne për të lehtësuar kalimin,” shkroi Rama.

“…për patriotizëm e për përkushtim ndaj njerëzve, në çdo ditë të keqe sidomos, kur pa dashjen e për fajin e askujt, na bie një hall i përbashkët mbi kokë, kësaj qeverie i vjen anash çdokush që merr përsipër ta akuzojë e ta mallkojë,” shtoi ai.

Me mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë qëndruar në radhë kilometrike në doganat e Kakavijës dhe Kapshticës prej së enjtes, në përpjekje për të kaluar kufirin përpara se të hynte në fuqi një regjim i ri kundër përhapjes së COVID-19.

Qeveria greke ka paralajmëruar se do të lejojë kalimin e një numri të kufizuar qytetarësh prej së hënës, me kushtin që të kenë me vete përgjigjen e testit të COVID-19 si dhe t’i nënshtrohen karantinës 1-javore. (reporter.al)