Ilustrim

Nju Jork, marshime në mbështetje të izraelitëve dhe palestinezëve

Pas sulmit të së shtunës ndaj Izraelit, që po përcillet nga mediat në gjithë botën, njerëz anembanë globit po reagojnë duke mbajtur marshime në shkallë të gjerë.
Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen njofton nga Nju Jorku se atje janë mbajtur marshime të ndryshme, në përkrahje të izraelitëve dhe të palestinezëve.

Dy marshime të ndryshme mbushën rrugët e qytetit të Nju Jorkut të dielën pasdite.

Në të parin, qindra protestues pro-palestinezë u bënë bashkë në sheshin “Times Square” për të shprehur mbështetje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, që u mori jetën qindra personave. Ata përligjin sulmin.

“Mendoj se ajo që po ndodh duhet parë në kontektin historik. Duhet parë në vazhdën e 75 vjetëve të spatrimit etnik, zhvendosjes dhe dhunës së Izraelit ndaj palestinezëve”, shprehet Munir Atalla, banor në qytetin e Nju Jorkut.

“T’i fajësosh ata se po reagojnë është absolutisht e tmerrshme. Unë nuk jam pro dhunës për askënd. Por kjo është e vërteta. Dua që njerëzit të kuptojnë se palestinezët janë njerëz dhe ata meritojnë të jenë të lirë”, thotë Maria Gil, banore në qytetin e Nju Jorkut.
Në anën tjetër të qytetit, para selisë së Kombeve të Bashkuara, qindra demonstrues u mblodhën për të shprehur solidaritet me popullin e Izraelit.

“Arsyeja pse gjendem këtu është për të mbështetur qeverinë e Izraelit ndaj krimeve të regjimit të Hamasit dhe për të përkrahur popullin izraelit. Njerzit e mi. Po qaj për ta. Herët ose vone do t’i kapim. Secilin prej tyre”, thotë Shimon Karni, banor në qytetin e Nju Jorkut.

Shumë prej tyre thane se nuk arrinin të kuptonin bastisjet nga militantët e Hamasit.

“Ata po rrëmbejnë fëmijët e vegjël, foshnjat, shtëpitë e tyre. Dhe po i përdorin ata si pengje për të liruar terroristët. Kjo është çmenduri”, thotë Ellen Weisman, banore e qytetit të Nju Jorkut

Ndërsa mbaheshin marshimet në rrugë, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams pohoi përmes një postimi në platformën X, dikur Twitter, mbështetjen e tij të palëkundur për Izraelin.

Ai shkroi se “Në një kohë kur në Izrael po masakrohen njerëz të pafajshëm dhe po rrëmbehen fëmijë, është e neveritshme që një grup ekstremistësh tregon mbështetje për terrorizmin. Unë e refuzoj këtë. Mos përdorni rrugët tona për të përhapur urrejtjen tuaj.”

Ndërsa konflikti është ende në fazat e para, marshimet, si ato në qytetin e Nju Jorkut të dielën, ka të ngjarë të vazhdojnë./VOA.